Pamje e urës Peleshac. Foto: REL

Abazoviq jep detaje se kur do të përfundojë ura që lidh Ulqinin me Velipojën

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka dhënë disa informacione lidhur më urën që do ta lidhë Malin e Zi me Shqipërinë.

Sipas Abazoviq, data e planifikuar e përfundimit të punimeve për këtë urë është në gusht 2024.

Ai ka thënë se, gjatësia totale e urës do të jetë 310 m dhe diapazoni midis dy shtyllave mbështetëse do të jetë 139 metra.

Ura do të jetë 17 metra e gjerë, do të ketë dy korsi trafiku nga 3.75 metra secila, dy trotuare nga 2 m secili dhe dy korsi për biçikleta nga 1.25 metra, ka njoftuar Abazoviq.

Tutje ka thënë se ura do të lidhë 34 km plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530,000 turistë në vit.

“Distanca aktuale ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës është 73 km, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm 1 km”, ka thënë kryeministri i Malit të Zi.

Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.

Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë tani, në vetëm disa sosh. Projekti u prezantua nga kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Shqipërisë, Dritan Abazoviq dhe Edi Rama, gjatë samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër.

Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për Ulqinin dhe për zhvillimin e turizmit, tha për Radion Evropa e Lirë aktivisti civil nga Ulqini, Xhemal Peroviq.