AAK kërkon nga partitë politike të bashkohen për konsensus të brendshëm

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj tha në seancë se qeveria aktuale nuk e ka pasur planin  qeverisës as pas takimit të mbajtur në Prevallë.

Tutje ai ka shtuar se qeveria nuk ka bashkërendim të brendshëm dhe se do të mbetet edhe pa taksë dhe pa reciprocitet.

“Kjo qeveri doli se nuk e ka planin qeverisës as pas takimit në Prevallë. Thoshte se kanë strategji të qartë për dialogun, por nuk është ashtu. Se që e keni futur veten në një udhëkryq, kjo nuk do koment. LDK dhe VV nuk kanë qëndrime të njëjta për taksën.  Ju do të mbeteni pa taksë dhe pa reciprocitetin që e keni proklamuar.  Kosova nuk ka konsensus të brendshme dhe qeveria as që ka bërë përpjekje për ta arritur atë. Propozimi i z. Ramush Haradinaj për një konferencë dy ditore është për tu përshëndetur”, tha Selmanaj.

Kuvendi po mban debat parlamentar në lidhje me rrezikimin e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e qasjes shpërfillëse e joserioze të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në raport me këshillat e udhëzimet e përfaqësuesve të SHBA-ve”.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të PDK-së dhe deputetëve të tjerë.

Në këtë seancë po diskutohet për zhvillimet e fundit dhe reagimet e zyrtarëve të ShBA-së për mosheqjen e tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.