9 persona të zhdukur gjatë luftës ju kanë dorëzuar familjarëve për rivarrim gjatë këtij viti

9 persona të zhdukur gjatë luftës ju kanë dorëzuar familjarëve për rivarrim gjatë këtij viti

Përgjatë vitit 2023 janë zhvarrosur 20 persona të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, ku 9 prej tyre janë identifikuar dhe ju kanë dorëzuar familjarëve për rivarrim.

Kjo gjetje u vë në pah në Raportin Vjetor për Personat e Pagjetur i shpalosur nga kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Komisionit për të Pagjetur, Andin Hoti.

Kurti tha që gjatë këtij viti është gërmuar në 15 lokacione brenda territorit të Kosovës për të kërkuar personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas raportit, shumica e lokacioneve, rreth 9 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen e 20 individëve, viktima të luftës. Ndërkaq janë dërguar 65 mostra për identifikim.

Ndërkaq u gërmua edhe në një lokacion brenda territorit të Serbisë, përkatësisht në Shtaval, Sijenicë.

“Edhe 25 vjet pas luftës jetojmë në ankth. Përveç viktimave, edhe familjet e tyre janë viktima të kësaj pritje” – tha Kurti.

Kurti përmendi që në Policinë e Kosovës është ngritur nga sektor në nivelin e drejtorisë për të pagjeturit, ku gjithsej janë 41 hetues.

Ndërkaq Kurti tha që së shpejti do të miratojnë strategjinë për drejtësinë tranzicionale.

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur tha që 9 trupa të zhvarrosur këtë vit nga 20 sosh, janë dorëzuar tek familjarët e tyre.

“14 mbetje mortore të personave të identifikuar presin për dorëzim” – tha Hoti.

Ai tha që në këtë vit kanë vënë urë bashkëpunimi me Zvicrën për teknologji të avancuar për të gjetur personat e zhdukur, “që shpresojmë të na ndihmojë”.

Kurti dhe Hoti e cilësuan arritje miratimin e Deklaratës për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë më 2 maj në Bruksel.

Sipas kësaj Deklarate, të publikuar nga Bashkimi Evropian, të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte thënë se është dakordimi për marrëveshjen për të pagjeturit ose të zhdukurit me dhunë, është arritur qysh më 18 gusht të vitit të kaluar.

Çështja e personave të zhdukur ka qenë një ndër çështjet urgjente të aneksit të dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Aneksi është pjesë e marrëveshjes bazë të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi të dakorduar më 27 shkurt.

As për marrëveshjen bazë e as për aneksin nuk janë hedhur nënshkrime, ndonëse BE ka deklaruar se kjo është marrëveshje, duke kërkuar me ngulm nga palët që të fillojnë me zbatimin e saj.