Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri i Infrastrukturës: Rruga Prishtinë-Podujevë, ndër rastet më të rënda

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në konferencë për media ka folur për ‘ngecjet’ e punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë.

Për Aliun kjo rrugë është ndër rastet më të rënda. Ai theksoi se kjo rrugë ka probleme në shpronësim e dizajnim të saj duke theksuar se shumë shpejt do të fillojnë punimet intensive në të.

“Rruga Prishtinë-Podujevë është nder rastet më të rënda e cila përpos problemeve të shpronësimit dhe problemeve të dizajnit ka edhe probleme të tjera gjatë realizimit të cilat jemi duke i marrë seriozisht dhe unë mund të ju them që është breng kryesorja e jona. Shumë shpejt do të fillojnë punimet intensive e për dhënie të datës nuk do të mund të flas sepse problemet pronësore po dalin gjithnjë të reja” – tha ai.

Aliu përmendi edhe punimet që janë duke u bërë në disa autostrada në vend duke thënë se edhe aty ka probleme serioze.

“Në katër autostradat, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë dhe Dollc-Gjakovë që të katërtat një emërues të përbashkët kanë, ndonëse mund të kenë burime të ndryshme të financimit. E para është problemi i projektimit që nga dizajni e deri të procesi i elaboratit dhe shpronësimit dhe procesi i shpronësimit në tërësi. Defektet të cilat janë, janë serioze të cilat kërkojnë hetim. Jemi në fazë të auditimit të këtyre rasteve mos të harrojmë kemi raste kur një urë apo një kalim është i pozicionum në një vend të caktuar ndërsa shpronësimi për të njëjtën është bërë ka ndodh në një vend tjetër. Pra elaboratet e shpronësimit kanë defekte themelore serioze të cilat bëhen pengesë në cilindo rast” – tha ai.