25-vjetori i çlirimit të Kosovës

Në Kosovë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e paqes por edhe në rindërtimin e shtetit. Aktivitetete të shumta për përvjetorin e 25-të.

Në Kosovë me manifestime të ndryshme po shënohet 25-vjetori i përfundimit të fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, që shënoi edhe fundin e luftës së Kosovës. Lufta e Kosovës përfundoi më 10 qershor 1999, në ditën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së, miratoi Rezolutën 1244, e cila i dha fund zyrtarisht luftimeve. Një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshjes Teknike-Ushtarake në Kumanovë (me 09.06.1999).

Më 12 qershor 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa nisi largimi i forcave serbe. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë, nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Një seancë e veçantë për shënimin e këtij 25-vjetori u mbajt në Kuvendin e Kosovës, ku ishte i ftuar si folësi kryesor ish-kryeministri britanik Tony Blair. Për udhëheqësit politikë të Kosovës, Tony Blair është hero i lirisë dhe i paqes dhe një nga personalitetet kryesore në fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, tha në Parlament se “bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë”. “Ne ndihmuam, dhe nuk jam penduar kurrë”, tha Blair.

Blair: Nuk u pendova kurrë për bombardimet

“Kosova më në fund u çlirua. Njerëzit janë në gjendje të jetojnë përsëri, të shpresojnë përsëri, të besojnë përsëri në një shoqëri të ardhshme të lirë dhe të drejtë, të lirë nga shtypja dhe padrejtësia. Sikur të kishim lejuar që Kosova dhe populli i saj të vazhdonin t’u nënshtrohen brutalitetit, t’u hiqen të drejtat, t’u vidhet e ardhmja, e ardhmja jonë në vendet si vendi im nuk do të ishte e mirë. Prandaj për mua lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne”, tha ish-kryeministri britanik Tony Blair. Sipas tij, 25 vjet më parë kishte negociata të tensionuara politike dhe angazhim të jashtëzakonshëm diplomatik për të ardhur deri te çlirimi i Kosovës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që me një ceremoni shtetërore e priti ish-kryeministrin britanik dhe tha se zoti Blair “ishte vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë”.

“Hero i popullit të Kosovës”

“Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës si dhe hero i lirisë dhe demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe gjithë përkrahjen që ja keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Në prill të vitit 1999 ju e keni cilësuar intervenimin në Kosovë si një kauzë të drejtë, e tillë ishte siç është dëshmuar atëherë e tillë dëshmohet edhe sot, sepse në pyetje ishte vetekzistenca e një populli”, tha presidentja Osmani.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili falënderoi Mbretërinë e Bashkuar dhe z. Blair “për ndihmën dhe kontributin në çlirimin e Kosovës, rolin e tij të rëndësishëm dhe mbështetjen e palëkundur gjatë luftës në Kosovë, e cila çoi në çlirimin e vendit”.

“Udhëheqja dhe vendosmëria e tij ishin vendimtare në mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare dhe për të siguruar që drejtësia dhe paqja të mbizotërojnë. Populli i Kosovës do ta kujtojë dhe do të jetë mirënjohës përherë për përkushtimin tuaj për drejtësi dhe paqe”, u shpreh kryeministri Kurti për z. Blair.

Aktivitetet dhe festimet

Në Prishtinë, për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimin e Kosovës, u  organizuan edhe dy konferenca shkencore me titull, “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje-qasje multidisiplinare”, dhe “Rugova dhe Perëndimi”, ku pjesëmarrës ishin shumë protagonist të kohës, por edhe kryeminstri i tanishëm i Shqipërisë Edi Rama. Kryeministri Rama u prit nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe disa politikanë të tjerë, por jo edhe nga kryeminisri Albin Kurti.

Ish-kryeministri italian Massimo D’Alema, tha se rajoni është larg stabilitetit që synonte presidenti tashmë i ndjerë i Kosovës Ibrahim Rugova. D’Alema kujtoi Rugovën dhe përpjekjet e tij për statusin përfundimtar të Kosovës.

“Unë isha në qeveri, jo si kryeministër por si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Italia ishte zgjedhur si vend jo i përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Ban Ki Moon në atë kohë e kishte caktuar datën 10 dhjetor si afat kur duhet të mbaronin negociatat. Në dhjetor ishte radha e Italisë që ta udhëhiqte presidencën e Këshillit të Sigurimit. Ai donte personalisht të merrte pjesë në seancë për të bërë thirrje për përkrahjen për pavarësi. Por kjo u pamundësua nga nacionalizmi i lartë i Serbisë që nuk i pranonte faktet, por nuk mund ta shtyente pafundësisht këtë gjë”, deklaroi D’Alema.

25 vjet më parë sulmet mbi caqet dhe infrastrukturën serbe nisën më 24 mars. Lufta zgjati der më 10 qershor 1999. Fushata e bombardimeve ajrore ndaj ish-Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Me 12 qershor të vitit 1999 NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë. Asokohe u vendosën më shumë se 50 mijë ushtarë. Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 110 vende të botës./DW