Foto: KALLXO.com

21 të vdekur nga coronavirusi në Maqedoni të Veriut

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të dielën 21 viktima dhe 1,254 raste të reja me koronavirus.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik bazohen në testimin e 50,82 mostrave.

Pozitiviteti i rasteve është 24,7 për qind.

Shtatë nga viktimat janë regjistruar në Shkup, nga tre në Kavadar dhe Strumicë, dy në Prilep dhe nga një në Strugë, Kumanovë, Tetovë, Kërçovë, Negotinë dhe Manastir.

Sipas raportit të publikuar, nëntë nga viktimat kanë qenë të vaksinuara ndërsa 12 të tjerat me sëmundje tjera shoqëruese.

Numri total i viktimave me koronavirus ka arritur në 8,383.

Nga 1,254 personat e infektuar, 655 janë regjistruar vetëm në Shkup, ndërsa numri i rasteve aktive në nivel të Maqedonisë së Veriut është 20,114.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka paralajmëruar ndryshime në përbërjen e Komisionit për Sëmundje Infektive, zgjerimin e këtij trupi edhe me specialistë të klinikave tjera “për një menaxhim sa më efikas me pandeminë e koronavirusit”.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të protokollit për evidentimin e viktimave, përkatësisht mostestimin për COVID-19 të pacientëve që vdesin nga sëmundje tjera shoqëruese.

Numri i lartë i viktimave në Maqedoninë e Veriut i dedikohet protokollit, i cili sipas specialistëve të shëndetësisë, dallon nga ai i vendeve tjera.

Paralajmërimet, ministri Sali i ka bërë gjatë marrjes së vaksinës së tretë dhe me këtë rast ka bërë thirrje për vaksinimin e popullatës.

Deri më tani me nga dy doza janë vaksinuar rreth 864,000 persona apo rreth 48 për qind e popullatës./REL