“18 dhjetori” nxjerr jashtë Sali Berishën nga dy organet më të larta drejtuese në PD

Kreu i Partisë Demokratike ishte i treti në radhë që u ngjit në podiumin kryesor të sallës së Pallatit të Kongreseve në Tiranë për t’u betuar këtë të shtunë se në subjektin politik që ai drejton nuk do të ketë më njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare.

Lulzim Basha u prit me ovacione nga mbështetësit e tij dhe delegatët, të cilët iu drejtuan sallës, pas verifikimeve. Basha falenderoi të gjithë të ftuarit e pranishëm dhe parafolësit në Kuvendin Kombëtar.

Për të, ky Kuvend, është përcaktues për Shqipërinë e të nesërmes.

“Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, 31 vite, me suksese dhe dështime”, tha ai.

Sipas tij, demokratët sot nuk janë mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, as kryetarit.

“Jemi mbledhur për të thënë të vërteta të cilat kemi kohë pa i shqiptuar”, u shpreh ai.

Kryedemokrati tha se konflikti me Sali Berishën i ka kushtuar shumë shtrenjtë demokratëve.

“Sot, konflikti që Sali Berisha ka patur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe çdo anëtari dhe votuesi të saj”, tha ai.

Kryetari i Komisionit të Kuvendit të thirrur nga lidershipi zyrtar i demokratëve, Jemin Gjana ka njoftuar miratimin e vendimit për të lënë jashtë strukturave qendrore të Partisë Demokratike, personat e shpallur non grata.

Gjithashtu, delegatët demokratë kanë shpallur “nul” vendimet e marra gjatë Kuvendit të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, më 11 dhjetor.

Gjatë Kuvendit të Berishës, delegatët e thirrur shkarkuan nga detyra nënkryetarët e PD-së si edhe Sekretarin e Përgjithshëm. Gjithashtu vendosën që, më 18 dhjetor, të mbahej një Referendum për shkarkimin edhe të kryedemokratit Lulzim Basha.

Gjana tha se “kemi shumicën dërrmuese të delegatëve”, duke theksuar numrin 5 mijë e 4 delegatë.

“Kuvendi ka gjithsej 7600 delegatë. Sipas prezencës së nënshkruar prej secilit prej tyre, janë të pranishëm në Kuvendin Kombëtar 5004 delegatë”, u shpreh ai.

Anëtari i këtij Komisioni, Enkeled Alibeaj propozoi që në statutin e Partisë Demokratike të shtoheshin dy dispozita të cilat i dedikohen krijimit të një strukture të re organizative e emërtuar si aleanca qytetare për demokracinë.

“Pas nenit 58 të statutit, shtohet neni 58/1 me përmbajtjen që vijon: Aleanca Qytetare për Demokracinë. Përveç organizatave partnere të nenit 58, të tillë Partia ka edhe aleancën qytetare për demokracinë.  Kjo organizatë partnere përbëhet nga intelektualë me reputacion profesional ose me kontribut të spikatur në shoqëri të cilët shfaqin interes dhe bashkëndajnë vlerat dhe parimet e Partisë Demokratike. Anëtarësimi në parti nuk është kusht për Aleancën Qytetare për Demokraci”, tha Alibeaj.

Ish-themeluesi i kësaj partie dhe ish-ministri i Bujqësisë në kohën e Berishës, Rexhep Uka, ka kujtuar kohën, kur Mihail Gorbaçov tentoi të bëjë një epokë të dytë në Rusi, por dështoi.

Ky ishte dhe një mesazh i qartë për ish-liderin Berisha.

Më herët, Kuvendi nisi me luajtjen e Himnit Kombëtar dhe fjalën e mori, Ina Zhupa, zëdhënësja e PD-së.

Ajo e cilësoi pjesëmarrjen e “jashtëzakonshme” dhe njoftoi përbërjen e strukturës së Komisionit të këtij Kuvendi, i cili do të drejtojë punimet.

Kryetar i tij do të jetë Jemin Gjana, ndërsa anëtarë janë deputetët Gazment Bardhi, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj dhe Flutura Açka.

Rendi i ditës ka të bëjë me vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike.

Kjo duke mos lejuar që “problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.

Gjithashtu një pikë kyç është miratimi i aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci.

Në përfundim pritet miratimi i programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë jashtë Pallatit janë pozicionuar të gjithë mbështetësit e Bashës. Ata mbajnë në duar një banderolë ku shkruhet se “zgjedhin të ardhmen”./Top-Channel