140 pacientë me COVID-19 po trajtohen në ShSKUK, nëntë prej tyre në gjendje të rëndë

Nëntë pacientë të infektuar me COVID-19 janë në gjendje të rëndë ndërsa 89 pacientë të tjerë janë nën asistim me oksigjeno – terapi, sipas të dhënave të fundit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Numri i pacientëve të infektuar me COVID-19 të cilët janë duke u trajtuar në klinikat dhe spitalet rajonale në vend ka filluar të bie nëse krahasojmë me javët e kaluara ku shifra e pacientëve të cilët kërkonin trajtim mjekësorë kalonte mbi 1 mijë.

Aktualisht në Klinikën për sëmundje ngjitëse apo në Infektivë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar 27 pacientë me coronavirus, në Mjekësinë Sportive apo Infektivë II janë duke u trajtuar 10 pacientë si dhe në Mjekimin Intensiv janë duke u trajtuar 7 pacientë.

Ndërsa në Klinikën e Pulmologjisë janë në trajtim e sipër 26 pacientë post – COVID-19.

Në anën tjetër, në spitalin rajonal të Ferizajt janë duke u mjekuar 19 pacientë të infektuar me SARS-CoV-2, në Pejë janë 13 pacientë, në Mitrovicë janë 11 pacientë, në Gjilan 10 të tillë, në Prizren 8 pacientë, në spitalin e Gjakovës po trajtohen 7 pacientë ndërsa në atë të Vushtrrisë janë duke u trajtuar vetëm 2 pacientë.

Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se dy persona të infektuar me coronavirus kanë vdekur përderisa 38 qytetarë të tjerë kanë rezultuar pozitivë.

Aktualisht në nivel vendi janë 1 mijë e 895 raste aktive me SARS-CoV-2.