Foto: Policia e Kosovës

13 policë përfundojnë trajnimin për Njësinë e Mbrojtjes së Afërt

Në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike sot u mbajt ceremonia e diplomimit për 13 zyrtarët policorë të cilët përfunduan trajnimin për Njësinë e Mbrojtjes së Afërt.

Këta policë diplomuan pas trajnimit 12 javorë nga instruktorë të Policisë së Kosovës të certifikuar ndërkombëtarisht.

Sipas një njoftimi zyrtar, të pranishëm në ketë ceremoni të diplomimit ishin drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Kastriot Jashari nga AKSP, menaxhmenti i lartë i PK-së si dhe eprorë e zyrtarë nga Departamenti i Njësive Special të Policisë.

Tutje u tha se të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua drejtori i Policisë, i cili uroi zyrtarët për përfundimin e këtij trajnimi ndër më sfiduesit në Policinë e Kosovës si dhe në të njëjtën kohë i inkurajoi që të punojnë me profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi.

Po ashtu u tha se gjatë këtij kursi janë certifikuar edhe tre instruktorë nga Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Emisioni Drejtësia në Kosovë kishte realizuar një reportazh në vitin 2018, në të cilën jepen detaje për punën e zyrtarëve policorë të Mbrojtjes së Afërt.