Vdes balerini Hysen Podrimçaku

Balerini Hysen Podrimçaku ka vdekur sot në mëngjes në moshën 66 vjeçare.

I ndjeri ishte pjesë e Ansamblit të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Ai i takon gjeneratës së parë të balerinëve kosovarë të cilët i vunë themelet e baletit klasik në Kosovë.

Hysen Podrimçaku ka lindur në Novosellë të Pejës më 1953. U shkollua në vendlindje dhe në shkollën e baletit në Shkup. I takon gjeneratës së parë të balerinëve me të cilët edhe është formuar Trupa e atëhershme e Baletit të Kosovës, më 1972.

Ka luajtur në shfaqet e BKK-së që nga themelimi e deri në ditët e sotme, duke u shquar në shumë prej roleve të interpretuara.

Për shumë vjet ka qenë edhe profesor i baletit në shkollën e baletit në Prishtinë dhe Prizren.

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në ora 15 në fshatin e tij të lindjes në Novosellë të Pejës.