Promovimi i librit ‘Epitafet në gjuhën osmane- Rajoni i Ferizajt’. Foto: KALLXO.com.

Promovohet libri për epitafet në gjuhën osmane në rajonin e Ferizajt

Libri “Epitafet në gjuhën osmane (dëshifrimi dhe përkthimi i tyre) – Regjioni i Ferizajt!” i studiuesve Selim Selimi dhe Agron Islami është promovuar sot, më 13.12.2024, në Galerinë e Arteve në Ferizaj.

Libri përmbledh të gjitha epitafet me mbishkrim osman në regjionin e Ferizajt, ku përfshihen dhe komunat e Shtimes, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.

Agron Islami, njëri prej autorëve të veprës, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com, se me botimin e këtij libri është arritur të identifikohen, fotografohen, dëshifrohen dhe të botohen epitafet ekzistuese në gjithë regjionin e Rrafshit të Kosovës dhe hapësirës së Malësisë – Karadakut të Shkupit.

“Veçmas kur dihet se me këtë lëndë të këtyre rajoneve të Kosovës nuk është marrë pothuajse askush deri me sot, ndryshe prej zonave të Dukagjinit e Prizrenit që sado pak janë punuar”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Për vlerën e librit kanë folur edhe Fahrush Rexhepi, pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame dhe koordinator i projektit, dhe Ilir Bytyçi, i cili foli për trashëgiminë e qytetit të Ferizajt.

Një fjalë rasti mbajti edhe nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu.

Botimi i këtij vëllimi është i katërti me radhë në kuadër të projektit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë për identifikimin, studimin, përkthimin dhe botimin e epitafeve (mbishkrimeve në gurët e varreve) në gjuhën osmane që gjenden në Kosovë.

Përndryshe, botimi i vëllimit të katërt është mbështetur nga Komuna e Ferizajt.

Promovimi i këtij libri është bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës që po mbahen në komunën e Ferizajt.

Promovimi i librit ‘Epitafet në gjuhën osmane- Rajoni i Ferizajt’. Foto: KALLXO.com.