Në Teatrin 'Faruk Begolli' sot nis edicioni i tretë i ‘PITF 2019’

Me moton “Besim – Dije – Guxim” nis sot në mbrëmje në ora 19:00, në  Teatrin AAB “Faruk Begolli”, edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit “Prishtina International Theater Festival” (PITF).

Edicionit të sivjetëm i këtij Festivali do t’i paraprijë  shfaqja e dramës “Bretkosa” me regji të Burbuqe Berishës, prodhim i Teatrit “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB në Prishtinë, në ora 19:30, që jepet jashtë konkurrencës zyrtare.

Festivali “PITF 2019”, do të mbahet deri më 09 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ndërsa në konkurrencë zyrtare të këtij Festivali janë shtatë shfaqje nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia.

Edicioni i tretë i “PITF2019”, sipas organizatorit vjen më i veçantë nga ana vizuale për shkak të brendingut, ku ‘Hyjnesha në fron’, që është simbol i këtij Festivali ndërkombëtar, këtë vit vjen me një lule Irisi në kokë, lule që është simbol i numrit 3 dhe përfaqëson besimin, urtësinë dhe guximin.

Edhe këtë edicioni PITF, përveç programit ndërkombëtar, do të sjellë edhe programin përcjellës në mbrëmjet pas shfaqjeve, ku të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të argëtohen nga bende e artistë të ndryshëm.

Festivali do të ketë dy lloj biletash: festival pass, që do të jetë e vlefshme për të gjithë programin dhe biletat e veçanta për shfaqje.

Studentët do të kenë prioritet sepse biletat do t’ u ofrohen me çmime speciale, poashtu edhe transporti nga qyteti në kampusin e Kolegjit AAB do të jetë gratis për të gjithë vizitorët.