Ministria e Kulturës tregon arsyet e anulimit të vendimit për restaurimin e Hamamit të Madh

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka anuluar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, nga Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), sipas projekti të realizuar nga kjo organizatë.

Qerim Ondozi, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë për KALLXO.com se Komisioni për Shqyrtim të Ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (IKMM), i themeluar në kuadër të MKRS-së, pas pranimit të ankesave të parashtruara nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së, dhe nga disa profesorë të Universitetit “Hasan Prishtina”, e ka shqyrtuar lëndën dhe ka dalë me vendimin për anulimin e vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

“Në bazë të këtij vendimi, komisioni ka vërejtur se shqyrtimi dhe miratimi i projektit nga ana e IKMM –së, nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale dhe teknike, të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi që e rregullon fushën e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ondozi.

Gjithashtu ky komision, sipas këshilltari Ondozi, pas analizës së hollësishme të dokumentacionit teknik dhe tekstual, ka konstatuar se projekti ka mangësi, në veçanti në argumentim të dy elementeve të rëndësishme.

Mangësia e parë që ka evidentuar komision, sipas Ondozit është ajo e hulumtimit paraprak, të historikut të ndërtesës, gjendjes burimore, historikut të intervenimeve restauruese/konservuese që kanë ndodhur ndër vite, transformimet që i ka pësuar ndërtesa si në strukturë ashtu edhe në funksion, të cilat, siç potencon më tej Ondozi, është dashur të hulumtohen, të dokumentohen dhe referencohen edhe nga të dhënat zyrtare të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga institucionet kompetente që ushtrojnë autorizime publike në menaxhimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, apo edhe nga arkivat dhe bibliotekat e vendit.

Ndërsa, mangësia e dytë, ka shtuar më tej ai, është ajo e arsyetimit të zgjidhjes së propozimeve konservuese-restauruese, ku në mungesë të argumentimit të saktë të pjesës hulumtuese, edhe ofrimi i zgjidhjes për restaurim/ konservim mbetet i mbështetur në hipoteza, e cila përpos metodës së krahasimit, është dashur të ndërtohet edhe në bazë të të dhënave të shkruara për vetë ndërtesën e Hamamit të Madh të Prishtinës, fotografive të mëparshme, hartave, skicave, raporteve, e dokumenteve tjera arkivore.

“Po ashtu edhe interpolimi i elementeve të reja, si në eksterier ashtu edhe në enterier, është dashur të arsyetohet se në çfarë burimesh të dëshmive është mbështetur projektuesi gjatë dizajnimit të tyre. Në rast se nuk ka dëshmi të gjendjes burimore edhe pas hulumtimit, projekti i konservimit dhe qasja e restaurimit apo kthimit të monumentit në një periudhe të caktuar kohore, duke i zhbërë elementet tjera që janë shtresëzuar brenda pesë shekujsh, dhe duke vendosur elemente të reja, nuk mund të hartohet mbështetur vetëm në hipoteza”, ka thënë Qerim Ondozi, këshilltar i ministrit të Kulturës.

Komuna e Prishtinës dhe TIKA nuk i janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com deri në publikimin e artikullit, lidhur me vendimin e ministrisë.

Komuna e Prishtinës dhe TIKA nënshkrua muajin e kaluar një marrëveshje për restaurimin e Hamamit të Madh.

Por, në fotografitë e projekt-propozimin të prezantuar gjatë nënshkrimit të marrëveshjes u vërejt se Hamamit i ishte ndryshuar emri në “Fatih Hamami Muzesi”.

Pas kësaj pati reagime të ndryshme dhe një debat, pavarësisht se dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti postoi përmes Facebook-ut, siguroi se Hamamit nuk  do t‘i ndërrohet emri.

Restaurimi i Hamamit të Madh në Prishtinë kishte nisur në 2007, por punimet u ndërprerën më 2013, pasi ishte konstatuar nga ekspertët se gjatë restaurimit i Hamamit i ishte humbur origjinaliteti dhe punimet ishte bënë në kundërshtim me rregullta që kërkohen për restaurimin e monumenteve të trashëgimisë.