Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Foto: BIRN

Kujtime në avull: Hamamet turke të Kosovës të humbura në kohë teksa presin dorën e restaurimit

Një taksist i stresuar pyet nëpër stacionin e autobusit në Mitrovicë se ku ndodhet muzeu i qytetit. Disa taksistë dhe shoferë autobusash thonë që është shumë larg, ndërkohë që kalimtarët e rastit thonë që nuk është më shumë se 10 minuta larg.

“Një restorant ndodhet aty ku ishte muzeu dikur” murmurit taksisti i hutuar teksa ndez veturën. Atij po i thonë që muzeu nuk ndodhet më në të njëjtin vend si hamami i vjetër Turk, i cili tashmë është kthyer në një restorant.

Sapo arrin tek restoranti në fjalë, atij i thonë që muzeu tashmë ndodhet në të njëjtën ndërtesë si shkolla e mesme e muzikës Tefta Pashko, përballë parking-ut ku zakonisht rrinë taksitë apo kombit (fugonat) që vijnë nga Prishtina.

Pakëz i turpëruar që zbuloi se muzeu ndodhet përballë  vendit të zakonshëm ku ai punon, taksisti e ndez veturën sërish dhe kthehet mbrapsht.

Vendasit në Kosovë shpesh i drejtojnë turistët në pjesët më të vjetra të  qytetit, si hamame antike, edhe pse ata janë ose të mbyllura ose komercializuar, si ai në Mitrovicë, pa një qasje institucionale të qartë apo një udhërrëfyes profesional.

Në Prizren, i njohur për trashëgiminë kulturore nga epoka të ndryshme të historisë, e sidomos nga ish Perandoria Osmane, vendasit janë familjarizuar me Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në qendër të qytetit.

Ata hutohen pak kur pyeten për hamamin tjetër,  që ndodhet aty ku tani është Muzeu i Arkeologjisë.

“Duhet të kishit pyetur për Sahat Kullën sepse ashtu e njohin vendasit” një punëtor i Muzeut Arkeologjik të Prizrenit i thotë BIRN-it.

Në Pejë gjithashtu hutohen kur pyeten për vendodhjen e hamamit derisa ju thuhet që ndodhet në oborrin e një xhamie.

“Po thua për hamam-xhaminë?” një banor i Pejës e pyet BIRN-in tek sa mundohet të na bindë që pjesë të tjera të qytetit janë më me shumë vlerë për t’u parë.

Në Prishtinë vendasit gjithashtu kanë njohuri se ku ndodhet hamami pranë qendrës së qytetit, ngjashëm me atë në Prizren, në mes të dy xhamive.  Gjithsesi, pak turistë arrijnë ta vizitojnë.

Ministria e Kulturës e Kosovës ka 10 hamame në listën e trashegimisë të mbrojtur kulturore.

Për shkak të mungesës të kuadrit ligjor për trashëgiminë kulturore dhe mungesën e restaurimit, hamamet janë kryesisht të mbyllura dhe të zbrazura.

BIRN-i vizitoi hamamet në katër nga qytetet më të mëdha të Kosovës si Prishtina, Prizreni, Mitrovica, dhe Peja. U ballafaquam me një mori pengesash burokratike për shkak të qasjeve menaxhuese jo të standartizuara.

Ndërkohë, gjetëm gjithashtu disa individë të paktë që po luftojnë për ta ndryshuar këtë gjë dhe për t’i kthyer banjat me avull të neglizhuara deri tani në destinacione turistike serioze.

Trashëgimia e fshehur para syve

Hamami turk (djathtas) në ish oborrin e xhamisë Haxhi Beu në Pejë. Foto: BIRN

Hamamet në Kosovë datojnë kryesisht nga shekujt e 15, 16, dhe 18, kur Kosova ishte një provincë e Perandorisë Osmane.

Përgjatë shekujve, këto hamame turke shërbyen për qëllime të ndryshme duke përfshirë banja, shtëpi publike, magazina, hapësira për biznes, apo galeri.

Osmanët u larguan nga Kosova ne 1913-n dhe që atëherë këto hamame kanë qenë shumicën e kohës të mbyllur për publikun.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës ndodhet në qendër të Prizrenit dhe vendasit e tregojnë me krenari rrugën për te kjo banjë e shekullit të 16. Gjithashtu të shpjegojnë që Gazi Mehmed Pasha gjithashtu ndërtoi shumicën e qendrës  historike të Prizrenit  duke përfshirë xhami, shkolla dhe biblioteka.

Jusuf Xhibo, një arkitekt në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren i tha BIRN-it që banja ka qenë e mbyllur për dekada të tëra.

Për shkak që ka shërbyer për qëllime të ndryshme përgjatë historisë, e vetmja gjurmë që një sy jo-ekspert ta kuptojë  që ka qenë hamam turk, janë gypat e vjetër në  mur në pjesën e grave.

Mbajtëset e ujit kanë  qenë hequr sepse gra artizane e patën përdorur për të praktikuar artizanatin e tyre.

Gypa e vjetër në mur ku kanë qenë mbajtëset e ujit në pjesën e grave tek hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Foto: BIRN.

Murat Simsek, një qytetar i Turqisë që po jetonte në Prishtinë nuk është i impresionuar: “Mund ta ketë emrin hamam por nuk duket si i tillë” thotë ai.

Pjesa e burrave, në këtë hamam turk me dy pjesë të ndara për gjinitë, duket më shumë si banjë Turke por është e mbyllur për shkak të dëmtimit në dysheme e cila mund të rrezikojë vizitorët.

Në pjesën e pritjes, e cila shërbente si dhomë zhveshjeje, mund të shihet një derë e fshehtë.

Në një moment në histori, ky hamam ishte përdoru si shtëpi publike dhe dera përdorej nga “figura të rëndësishme të cilët nuk donin të shiheshin” shpjegon Xhibo.

Pjesa tjetër e ndërtesës përdoret herë pas here si galeri apo për aktivitete të tjera kulturore.

Dyshemeja e dëmtuar në pjesën e mbyllur për publikun, zona për burrat, e hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Foto: BIRN

Muzeu aktual i Arkeologjisë në Prizren ka qenë gjithashtu një hamam turk dikur, i vetmi me sahat-kullë në Kosovë. Perveç mureve të bardha pjesa tjetër e elementeve të një hamami janë hequr.

Muzeu Arkeologjik i Prizrenit. Foto: BIRN

Hamami i Madh i Prishtinës, i ndërtuar në shekullin e 15, gjithashtu ndodhet në qendër të  qytetit, në mes të dy xhamive, si Gazim Mehmed Pasha në Prizren.  Burrat dhe gratë e përdornin në ditë të ndryshme të javës.

Restaurimi u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve. Tunele të kullimit, materiale pune, dhe grumbuj me gura janë të shpërndara kudo nëpër hamam duke e bërë të vështirë vizitën pa u dëmtuar.

“Gjendja e hamamit të Prishtinës është e mjerueshme, një monument i rëndësishëm me kapacitet për zhvillimin kulturor, fatkeqësisht i kthyer në deponi bërllogu” thotë Adrian Berisha, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në komunën e Prishtinës.

Materiale pune te hamami i Prishtinës. Foto: BIRN

Ndryshe nga krenaria e madhe e qytetarëve të Prizrenit për trashëgiminë e tyre kulturore, e njëjta nuk ekziston në Prishtinë.

Shumica e turistëve në Prishtinë vijnë për bare dhe restorantet apo për të parë monumente të pas luftës. Shumë pak janë në dijeni të ekzistencës së një banje turke rreth 10 minuta nga sheshi.

Giselle Luengo, nga Argjentina, e cila qëndroi në Prishtinë për disa muaj i tha BIRN-it që “nëse do ta dija ekzistencën (e hamamit turk) do ta kisha vizituar”.

“Ndoshta ata (institucionet) duhet të na tregojnë ne turistëve që mund t’i vizitojmë këto gjëra atraktive” shton ajo.

Tunelet kulluese të mbetura te hamami i Prishtinës pasi ndaloi restaurimi. Foto: BIRN

Hamami i Haxhi Beu-t në Pejë, i ashtuquajturi hamam-xhamia, është në  gjendjen më të keqe deri tani.

Ai u mbyll për publikun në vitin 2015 pasi sekretari i përgjithshëm i Agjencisë Turke  për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA, e vizitoi për të parë mundësitë e restaurimit me Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë, që e ka në pronësi këtë hamam.

Hamami ishte dëmtuar nga lagështia pasi i ishin vjedhur kupolat e çelikut, thotë Avni Gorani nga Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Pejë, tek sa shpjegon që restaurimi i fundit ishte bërë  në 2004-n.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Musli Arifaj, tha që hamami dikur përdorej për galeri, evente muzikore, dhe madje edhe sesione fotografike për konkurset e bukurisë. Ai i tha BIRN-it: “Nuk mund ta mbaj përgjegjësinë nëse dikush dëmtohet fizikisht aty, kështu që e mbyllëm.”

Dyshemeja e dëmtuar nga lagështia te hamami i Haxhi Beu-t në Pejë. Foto: BIRN

Hamami i Mitrovicës, i ndërtuar privatisht nga Sylejman Berisha në shekullin e 18 -të, pavarësisht se është pronë private dhe jo atraksion turistik, është më i vogli por edhe më i mirëmbajturi në Kosovë.

Naser Hajdari, historian në muzeun e Mitrovicës, tha për BIRN se hamami mbeti në përdorim si banjë publike deri në vitin 1959, kur u shtetëzua dhe pronësia i kaloi shtetit të atëhershëm jugosllav, “duke i hequr pronësinë familjes Berisha”. Deri në vitin 2009, ai ishte një muze para se t’u kthehej pronarëve të tij.

“Ky vend i trashëgimisë kulturore është përdorur për aktivitete të ndryshme tregtare … pavarësisht potencialit të tij për zhvillimin e turizmit kulturor,” shpjegoi Hajdari.

Hamami i Mitrovicës. Foto: BIRN

Marta Moreno, një gazetare e pavarur në Kosovë, i tha BIRN-it se ajo e kishte vizituar hamamin e Mitrovicës, edhe pse “nuk ishte funksionale”.

“Ishte nën një restorant dhe njerëzit atje na lejuan ta vizitonim; ata po e përdornin hamamin për t’i mbajtur gjërat e ftohta, “kujton ajo.

BIRN-i kërkoi të vizitonte edhe hamamet e Vushtrrisë dhe Gjakovës por nuk mori asnjë leje nga autoritetet deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Rikthimi në banja- apo ndërtimi i qendrave kulturore?

Njëra nga dhomat në hamamin e Mitrovicës, Kosovë, që përdoret për ruajtje të gjërave të restorantit dhe si dhomë lutjeje. Foto: BIRN

Projekte të ndryshme për restaurimin e hamameve të vjetra në Kosovë janë përpiluar ndër vite.

Vjollca Aliu, nga Ministria e Kulturës e Kosovës, i tha BIRN-it se 440,000 euro nga buxheti i shtetit ishin projektuar “për projekte konservimi” për hamamin e Mitrovicës dhe Gazi Mehmed Pashës në Prizren.

“Projektet e ndërhyrjes në këto dy hamame janë në fazën e analizimit të situatës ekzistuese dhe përcaktimit të veprimeve në vazhdim,” shpjegoi Aliu, duke shtuar se nuk ka asnjë plan për t’i kthyer ato në funksionin fillestar si banja turke.

Xhibo i tha BIRN-it se ai po përpiqet të kthejë të paktën një pjesë të Gazi Mehmed Pashës në funksionin e tij të vjetër si hamam dhe pjesën tjetër ta mbajë si muze.

Njëjtë, Berisha, nga komuna e Prishtinës, pretendon se komuna po bashkëpunon me TIKA-n Turke për të restauruar hamamin me një kosto prej rreth 1.1 milion euro.

Inspektorati i trashëgimisë kulturore nuk e ka pranuar projektin e paraqitur nga TIKA, kështu që një grup pune po e rishkruan atë.

“Në fillim, ne menduam se duhet të ishte një qendër kulturore shumëfunksionale, por tani po mendojmë se ndoshta duhet ta mbajmë funksionin e saj si banjë turke,” tha Berisha, duke shtuar: “Do të ishte një atraksion i bukur kulturor”.

Arifaj, nga Këshilli Islamik në Pejë, tha se ekspertët “kanë pohuar se hamami mund të kthehet në funksionin e tij fillestar”; megjithatë, ata ende nuk kanë gjetur ndonjë donator të mirëfilltë.

“Vullneti ekziston, por as ministria [e kulturës] nuk ka mundësi,” u ankua ai.