Hamami i Madh Mbetet Çështje e Pazgjidhur

Komuna e Prishtinës organizoi debat publik të mërkurën me fokus në procesin e restaurimit që e ka kaluar Hamami i Madh i Prishtinës dhe mbi mundësitë e rivlerësimit të gjendjes aktuale për t’i hapur rrugë funksionalizimit të duhur të tij.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha që hamami është në një gjendje jo të mirë, për shkak të punimeve të kryera aty, të cilat vështirë se mund të jenë të kthyeshme.

Sipas tij duhet të diskutohet mbi hapat përpara, që do të mund të ndihmonin restaurimin e duhur të kësaj ndërtese, si dhe të vendoset mbi funksionalizimin e mëtutjeshëm të kësaj ndërtese.

“Në vendimin e administratës së kaluar është diskutuar për muzeun neolitik, të cilin unë personalisht nuk pajtohem, por kjo nuk do të thotë se mendimi im është vendimtar” tha kryetari Ahmeti.

Sipas arkitektes dhe ekspertes turke për restaurim të objekteve, Sule Diren, e cila ishte e angazhuar në punimin e planit restaurues, intervenimet që kanë ndodhur në hamam nuk i janë përmbajtur projektit.

Sipas Diren intervenime të dëmshme janë bërë në kupola, duke u dëmtuar disa detaje karakterizuese të kohës. Gjithashtu materiali i cili është përdorur në pjesë tjera nuk ka pas përbërjen e duhur. Në disa punime nuk u janë përmbajtur dimensioneve të cekura në projekt. Dhe përveç dëmeve tjera, me rastin e montimit të instalimeve elektrike janë krijuar dëme të pariparueshme të autenticitetit dhe integritetit të monumentit.

 

Debati publik zgjati deri më 21:00, duke filluar nga ora 17:00 | Foto:www.facebook.com/komunaprishtine

Fazat e restaurimit

Restaurimi i objektit ka kaluar tërësisht nëpër tri faza.

Në fazën e parë, të nisur në vitin 2007, për të cilën janë shpenzuar 80 mijë euro, është bërë pastrimi i objektit, prej nga janë larguar dy kamionë dru dhe dy thasë shprica, si dhe është bërë mbulesa e kulmit. 

Mangësi u vërejtën qysh në fazë të parë, pasi që kulmi nuk u rregullua si duhet, dhe akoma nuk është e rregulluar mirë, pasi që në hamam ka rrjedhje të ujit dhe lagështi.

Në fazën e dytë u bë ndërtimi dhe intervenimi në kupola, për të cilën u shpenzuan 290 mijë euro, ku  50 mijë euro të kësaj shume, u ndanë nga Ministria e Kulturës.

Faza e tretë, e nisur në vitin 2012, e cila kishte të bëjë me restaurimin e objektit në tërësi, vijoi pa autorizimin e autorëve të projektit, dhe për të u ndanë 419 mijë euro.

Me një vendim të Ministrisë së Kulturës, që konstatoi se gjatë restaurimit ka pas parregullsi të shumta, faza e tretë u ndërpre.

Liburn Aliu, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës,  atëkohë kishte qenë i përfshirë në këtë projekt , si pjesëtar i organizatës CHwB (Trashëgimia Kulturore Pa Kufij).

“Personalisht kam qenë i përfshirë në mbikëqyrje të projektit të restaurimit të Hamamit. Dhe në diskutime me Institutin e Trashëgimisë Kulturore, sado që bënim përpjekje që t’i përmbahemi projektit, kompania i vazhdonte punët pandërprerë, ndërsa këto punime u stopuan në momentin kur ka filluar të përdorej çimentoja në mbulimin e kupolave të objektit,” tha Aliu.

Burbuqe Bakija-Deva, nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Ministri të Kulturës, tha që ka pas kërkesa të shumta drejtuar Komunës së Prishtinës nga kjo ministri për të parë projektin mbi të cilin u bazua restaurimi.

“Pas kërkesave të shumta, na ka ardhur projekti. Një projekt i fotokopjuar, i palidhur dhe i pavërtetuar. Asnjëherë nuk kemi pas komplet projekt të fazave të cilat janë miratuar. Dhe çka është më me rëndësi, asnjëherë nuk ka pas raporte të rregullta prej fazës së parë si kanë shkuar punimet” tha Bakija-Deva.

Kupolat e riparuara rrjedhin ujë | Foto:www.facebook.com/TrashegimiaKulturoreKosoves

Ridestinimi i hamimit

“Hamami i Madh” i Prishtinës supozohet të jetë ndërtuar ndërmjet shekujve XIV-XV, gjegjësisht diku para 500 vjetësh dhe ka shërbyer si hamam deri në vitet e 70-ta.

Hamami ka qenë çift, gjysma u ka takuar femrave, e gjysma meshkujve, dhe ka shërbyer si një qendër relaksimi për pastrim ritual të njerëzve.

Ai është një monument arkitekturor, pronë e trashëgimisë kulturore e shpallur në mbrojtje të shtetit.

Sa i përket ri-destinimit dhe funksionalizmit të ri të tij, përpos idesë nga qeverisja e kaluar, që hamami të shndërrohet në muze, panelistët-anëtarë të bordit, dhanë edhe ide të tjera.

Specialisti i monumenteve, Valter Shtylla nga Shqipëria, propozoi që kjo ndërtesë të shndërrohet në muze të arkitekturës mesjetare.

Komuna e Prishtinës më shumë mbështetë idenë që hamami të përdoret si një qendër multi-funksionale.

Sali Shoshi, nga CHwB propozoi që të ri-destinohet në një ambient për konferenca dhe ngjarje te ndryshme kulturore.

Gjejlane Hoxha nga Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore propozoi që hamami të përdoret si një qendër estetike dhe sallon bukurie, që ofron shërbime të ndryshme, si manikyr dhe pediker.

Ndërkaq Bashkësia Islame, pretendon se hamami ka qenë pronë e BIK-ut, dhe se duhet të rikthehet te ta. 

Si pjesëmarrës në debat, kanë propozuar që objekti të jetë muze i artit islam apo një bibliotekë me libra të fesë myslimane.

Por arkitektja dhe ekspertja turke Sule Diren, ka thënë se nuk bëhet fjalë për objekt islam, por otoman. Ajo gjithashtu ka treguar se gjatë hartimit të projektit për restaurim, janë bërë anketime me qytetarë. Sipas anketave, qytetarët kanë kërkuar një qendër multi-funksionale.

Megjithatë asgjë nuk është vendosur në këtë debat publik dhe çështja e hamamit ka mbetur e pazgjidhur për afat të pacaktuar kohor.