Elif Shafak

Elif Shafak dëshiron që të lexoni më shumë libra të grave

Shkrimtarja e njohur Elif Shafak inkurajon njerëzit që të lexojnë sa më shumë libra të shkruara  nga gratë.

“Lexoni gra shkrimtare, gra gazetare, gra poete, akademike”, thotë autorja  e romanit “10 Minuta 38 Sekonda në këtë botë të çuditshme”, libër që ishte një finalist për “Booker Prize 2019”.

“Dhe kur them gra, e kam fjalën për gratë pa marrë parasysh prejardhjen etnike apo kulturore”, shprehet ajo në një intervistë për The new York Times.

Shafak tha se të jesh autor i një demokracie të plagosur si në Turqi, Venezuelë, Pakistan, Egjipt, Brazil njerëzit nuk e kanë luksin të jenë apolitikë.

“Nuk nuk do të flas për ato që po ndodhin jashtë dritares, kur ka aq shumë gjëra që po ndodhin atje. Edhe shkrimi për gjininë dhe seksualitetin mund të jetë një veprim politik i rezistencës në këto vende”, ishte përgjigja e saj në pyetjen se sa kanë funksion moral librat.

Libri “Orlando”, nga Virginia Woolf dhe “Mathanwi” nga Rumi sipas saj janë librat të cilët e kanë frymëzuar atë që të arrijë këtu ku është.

“Një nga Perëndimi, një nga Lindja, dhe të dy kapërcejnë Lindje-Perëndimin”, tha shkrimtarja.

Ndërsa shkrimtarët që i admiron janë ata që rrezikojnë si në formë ashtu edhe në përmbajtje pa marrë parasysh a është autor me përvojë apo sa po ka debutuar.

“Unë i respektoj shkrimtarët që guxojnë të notojnë kundër rrymës, të cilët nuk pranojnë të  shkruajnë në të njëjtën mënyrë”, tha Shafak.

Gjatë përgjigjeve ajo rekomandon disa libra të cilët duhet lexuar.

Cili është libri juaj i preferuar që askush tjetër nuk ka dëgjuar për të?

Feministja, romancierja dhe intelektualja armene Zabel Yesayan ishte një shkrimtare me mendje të shkëlqyeshme. Libri “Në Rrënoja” është një klithmë që jep zemër, një kronikë e rëndësishme.

Cili është libri i fundit i shkëlqyeshëm që keni lexuar?

“Epoka e kapitalizmit mbikëqyrës”, nga Shoshana Zuboff. Për një kohë të gjatë interneti u perceptua dhe u prezantua si një platformë neutrale, por edhe përparimtare që do të ushqente demokracinë.  Por realiteti është krejtësisht i ndryshëm. Zuboff tregon se si kapitalizmi mbikëqyrës minon dhe, në fund të fundit, shkatërron jo vetëm vullnetin e lirë dhe autonominë por edhe themelet e demokracisë.

Cilin libër planifikoni ta lexoni?

Unë jam në mes të “Underland: Një udhëtim me kohë të thellë” të Robert Macfarlane dhe është shumë i mirë.

Përgatiti: Antigona Isufi