Foto: KKTK

BE-ja mbështet projektin tre vjeçar për gërmime në qytetin antik të Ulpianës

Një projekt afat gjatë kërkimor-studimor pritet të nis këtë verë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.

Projekti “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda”, në vlerë prej 1 milion eurove i Bashkimit Evropian me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti, gjatë tri viteve do të synojë të zbulojë rrënojat e qytetit të dikurshëm antikë të Ulpianës.

Ky projekt i financuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga MKRS u promovua nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe zëvendësministrja e MKRS-së Daulina Osmani, gjatë një vizite që bënë në lokalitetin e Ulpianës, më 18 prill në Ditën ndërkombëtare të monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike.

Përmes këtij projekti tre vjeçar, institucionet kosovare të trashëgimisë kulturore synojnë zbulimin e rrënojave dhe themeleve të ndërtesave dhe strukturave të shumta sakrale, profane dhe utilitare, e të identifikuara rishtazi dhe ndër vite e që tashmë do të njihet si sektori i katërt i Ulpianës.

Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës përfshinte një sipërfaqe të gjerë të qytetit antik prej afërsisht 100-120 hektarësh.

Kjo e dhënë është konfirmuar edhe falë rezultateve të prospektimeve-incizimeve gjeofizike.

Arkeologu Milot Berisha, përgjegjës në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, ka thënë në një bisedë për KALLXO.com se projekti  “..nga Ulpiana në Iustiniana Secunda” që do të realizohet edhe me mbështetje nga një partneritet bashkëpunimi midis Institutit të Arkeologjisë të ENS-Paris, Universitetit të La Sapienza në Romë, Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës, synon zgjerimin në mënyrë graduale të Parkut Arkeologjik të Ulpianës.

Ky projekt, sipas tij, është një nga angazhimet më të mëdha të BE-së për arkeologjinë jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkan.

Arkeologu Milot Berisha gjatë gërmimeve në Ulpianë. Foto: Facebook.

Berisha thotë se në kuadër të këtij projekti synohet edhe themelimi i një qendre të hulumtimit-Laboratorit të Arkeologjisë, ngritja e kapaciteteve njerëzorë dhe pajisjen me aparatura moderne.

“Projekti do të zbatohet gjatë vitit 2022, dhe vazhdon edhe në dy vitet e ardhshme me mundësi vazhdimi. Tashmë jemi në fazën parapërgatitorë dhe do të vazhdohet me një gërmim dy mujor të paraparë të zhvillohet gjatë verës, korrik-gusht, incizime gjeofizike dhe me gjeoradar në tetor-nëntor”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, projekti përfshinë edhe një program trajnimi dhe bursa për studentët e rinj kosovarë të Universitetit të Prishtinës, të cilët do të jenë në gjendje të studiojnë në Paris dhe Romë për master dhe doktoraturë.

Ndërkaq, shton ai, rezultatet e marra gjatë gërmimit do të analizohen në qendrën kërkimore, përkatësisht në laboratorin ndërdisiplinor të arkeologjisë që do krijohet në Prishtinë  falë financimit të BE-së, me përkrahjen dhe nën mbikëqyrjen e MKRS-së, IAK -së dhe UP- së.

Për vitin 2022, ka thënë më tej Berisha, është paraparë që të shfrytëzohet rreth 1/3 e buxhetit të projektit trevjeçar të financuar nga BE-ja dhe mbështetur nga MKRS, për gërmimet dhe hulumtimet-kërkimet ndër-disciplinare arkeologjike, si dhe në krijimin dhe pajisjen e laboratorit kërkimor të arkeologjisë.

“Kërkimi ndërdisiplinor dhe bashkëpunimi me specialistë dhe profesionistë ndërkombëtar do të sjellë përfitime të trefishta; eksplorimin e detajuar të potencialit arkeologjik të Parkut Arkeologjik të Ulpianës, do ndikoj në ngritjen e kapaciteteve, përkatësisht në aftësimin e burimeve njerëzorë, gjegjësisht të studentëve, studiueseve dhe profesionistëve të fushës së arkeologjisë dhe disiplinave ndihmëse, si dhe do kontribuon në  ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arkeologjike”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se në fund të këtij viti planifikohet botimi i rezultatet shkencore nga hulumtimet e kaluara të kryera në Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

Parku i parë dhe i vetëm arkeologjik në Kosovë , i quajtur ‘Ulpiana’, është themeluar në vitin 2016 dhe  gjendet vetëm 12 kilometra larg Prishtinës.

Ky lokalitet është në Listën e përsheshmë të trashëgimisë së mbrojtur nga shteti.

 

Parku Arkeologjik ‘Ulpiana’. Foto: KKTK