Promovimi i albumit të Shotës, Foto: KALLXO.com.

Ansambli ‘Shota’ promovon albumin e parë të këngëve popullore

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka promovuar sot albumin e parë me këngë popullore.

Ky album përmban dhjetëra këngë të kënduara nga këngëtarët e njohur që kanë qenë pjesë e Ansamblit.

Promovimi i albumit është bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ylber Asllanaj, udhëheqës artistik i AKKV “Shota”, tha gjatë promovimit se me këtë album po pasqyrohet niveli artistik i Ansamblit.

“Si rezultat i një bashkëpunimi më bashkëpunëtorë të çmuar u bë e mundur që Ansambli të realizojë një album si ky”-tha ndër të tjera Asllanaj.

Në album janë të përfshirë këngëtarë të Ansamblit dhe bashkëpunëtorë të tij, si Majlinda Cikaqi, Violetë Kukaj, Liridon Sadriu, Edi Furra, Hysni Klinaku, Granit Musliu, Riza Bytyçi, Mirvete Bajrami, Zana Abazi, si dhe incizimi i fundit i këngëtarit të ndjerë, Ismet Bogujevci.

Promovimi është përcjellë edhe me pika muzikore nga Ansambli “Shota”.