Shfaqja "Recomposed" | Foto: Kallxo.com

Agjencia e statistikave publikoi raportin për zhvillimet kulturore në Kosovë për 2019-ën

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot të dhënat statistikore për zhvillimet kulturore në vend gjatë 2019.

Raporti i ASK-së “Statistikat e Kulturës” për vitin 2019, ofron të dhëna statistikore lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filarmonisë, ansamblit dhe qendrës kulturore për fëmijë.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ishte 118 shfaqje teatrale dhe repriza, ndërsa kishte 14548 shikues. Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve, “Dodona” ishte 132 shfaqje teatrale dhe repriza, me 12673 shikues. Kurse numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ishte 44 shfaqje teatrale dhe repriza, me 15 013 shikues.

Në galeritë e arteve janë realizuar 28 ekspozita me 24720 vizitorë.

Në Kinemanë “ABC” janë shfaqur 52 filma, të gjithë filma të huaj, me një numër shikuesish prej 7 201; në Kinemanë “Cineplexx” janë shfaqur 122 filma, prej tyre 8 filma vendorë dhe 114 filma të huaj, dhe numri i shikuesve ishte 382 445; në Kinemanë “Doku-Kino dhe DokuFest” janë shfaqur 352 filma, prej tyre 30 filma vendorë dhe 322 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 39 000; në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” janë shfaqur 128 filma, prej tyre 10 filma vendorë dhe 118 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 10 069.

Ndërkaq, për sa i përket fondit të librave në biblioteka, rezulton se janë 1 692 552 libra nëpër biblioteka, kurse numri i lexuesve ishte 83 942.

Numri i muzeve dhe shtëpive muze ishte 79, ndërsa numri i vizitorëve ishte 99 630.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të Agjencisë së Statistikave për kulturë për 2019.