‘Kosovo 2.0’ nis javën e ardhshme diskutimet në kuadër të programit ‘Lokomotiva’

Me shfaqjen e filmit “Tri dritare dhe një varje” që do të bëhet javën e ardhshme më 31 maj 2019, “Kosova 2.0” do të nisë edhe diskutimin e parë në kuadër të programit “Lokomotiva”.

Shfaqja e filmit “Tri dritare dhe një varje” do të bëhet në hapësirën e “Kosovo 2.0”, prej orës 16:30, kurse diskutimi vazhdon prej orës 18:00.

Përmes një njoftimi për media, “Kosova2.0” bën të ditur se përmes “Lokomotivës”, kjo organizatë, me anë të mjeteve artistike synon të përfshijë të rinjtë e të rejat në diskutimin kuptimplotë rreth gjinisë, etnisë, religjionit dhe racës.

“Diskutimin tonë të parë lidhur me temën e gjinisë do ta nisim me shfaqjen e filmit ‘’Tri dritare dhe një varje’’. Fabula e filmit në regji të Isa Qosjes, është e vendosur në një fshat tradicional të Kosovës, një vit pas përfundimit të luftës, ku njerëzit përpiqen të rindërtojnë jetët e tyre. Por, normaliteti i këtyre përpjekjeve ndërpritet kur merret vesh se disa gra të fshatit ishin përdhunuar gjatë luftës”, thuhet në njoftimin e “Kosova 2.0”.

Stigmatizimi dhe përjashtimi që u bëhet protagonisteve, viktima të dhunës seksuale, sipas njoftimit, në film përkon me realitetin e trishtë kosovar që nga viti 1999.

Dhuna seksuale në cilëndo formë shpesh është vet rezultat i pushtetit të pabarabartë në mes burrave dhe grave, i paracaktuar nga vet strukturat patriarkale.

“Por, mediumi i filmit gjithnjë ka sfiduar dhe vënë në pikëpyetje pabarazitë e tilla, prandaj edhe kemi vendosur që projektimi i filmit të shërbejë si pikënisje për diskutimin rreth ndikimit të artit/filmit në luftimin e parabarazisë gjinore”, thuhet në njoftimin e “Kosova 2.0” për programin e Lokomotivës.