Prona e djegur e drejtorit të Arsimit të Drenasit - Foto: Komuna e Drenasit

Komuna e Drenasit dyshon se prindërit e nxënësve ia dogjën pronën drejtorit të Arsimit

Mbrëmë është djegur prona private e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit të Drenasit, Tafil Halilaj, në fshatin Tërdec.

Komuna e Drenasit ka shprehur solidaritet me drejtorin Halilaj, dhe dyshon se sulmi ndaj tij ka ndodhur si shkak i veprimeve të këtij të fundit, i cili kishte ndarë paralelet në shkolla të tre fshatrave.

“Veprimet e drejtorit të Arsimit, Tafil Halilaj, lidhur me paralelet e ndara, kanë qenë dhe janë në pajtim me ligjin, në pajtim me të gjitha ligjet për arsim, pa asnjë ndikim apo tendencë jashtë interesit arsimor”, thuhet në komunikatë.

Komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci kishte marrë vendim që nxënësit e shkollave në fshatrat Abri, Godanc dhe Gjergjicë të vazhdojnë procesin mësimor në shkollën amë.

Këtë vendim prindërit e kishin kundërshtuar dhe në shenjë pakënaqësie kanë protestuar disa herë.

“Moslejimi i nxënësve të vijojnë mësimin nga disa prindër edhe pse me transportin e organizuar nga Komuna, por edhe kërcënimet e personave kundër z. Halilaj, kanë tejkaluar sferën e arsimit, dhe janë shndërruar në çështje politike. Kjo është e palejueshme”, thuhet në komunikatën e Komunës së Drenasit.

Përmes kësaj komunikate, Komuna ka ftuar organet e rendit që të zbardhin edhe rastin e kërcënimit ndaj Halilajt.

Ndërsa, Policia ka njoftuar se ka nisur një hetim për të kuptuar rrethanat që e karakterizojnë këtë rast.

Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, tha për KALLXO.com se ankuesi ka raportuar sot rreth orës 2:00 përfshirjen nga flaka të stallës së bagëtive.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Zjarrfikësit, të cilët kanë bërë punën e tyre për lokalizimin e zjarrit.

Zëdhënësi i Policisë tha se sipas ankuesit, nga zjarri janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

KALLXO.com kishte raportuar vazhdimisht lidhur me ndarjen e paraleleve të nxënësve në tri fshatrat e Drenasit.

Këtë vendim të komunës e kishte kundërshtuar e MAShT.

https://kallxo.com/komuna-e-drenasit-mbylle-shkollen-fillore-masht-e-quan-vendim-te-gabueshem/

Kallxo.com