U plagos nga granata deri sa po hynte në Kosovë, rrëfimi i gazetarit norvegjez

Në luftën e fundit në Kosovë atë të vitit 1999 gazetarë të ndryshëm nga vende të ndryshme raportuan për ngjarjet që zhvilloheshin ndërsa një nga ta ishte edhe Paul Refsdal. 

Gazetari norvegjez, në një intervistë për  “Kallxo Përnime” rrëfeu edhe se ishte i plagosur nga një granatë dore, tregon histori të ndryshme të cilat kaloi përgjatë periudhës prej kur kishte hyrë në Kosovë në vitin 1998 përmes Pashtrikut. 

“Ishin vetëm djem të rinj që vinin nga Evropa. Ata po kalonin Pashtrikun, duke kontrabanduar armë dhe duke hyrë në Kosovë për të luftuar. Kjo ishte në qershor të vitit 1998”, – ka thënë Refsdal.

Duke hyrë në Pashtrik, kujton ai, u plagos nga një granatë dore, duke i humbur pastaj çanta me të të gjithë dokumentacionin dhe pajisjet e punës.

“U plagosa nga një granatë dore, një granatë dore serbe. Disa luftëtarë u vranë dhe edhe më shumë u plagosën. Në fakt u lashë në pritë, kështu që duhej t’a tërhiqja veten zvarrë në pyll me çantën time, me kamerën dhe pajisjet e mia. U lidhëm me UÇK-në në pyll, dhe ata morën çantën time dhe më ndihmuan të zbrisja malin. Por pas një kohe, djali që po mbante çantën, nuk mundi ta menaxhonte më, kështu që e hodhi atë. Më pas ra në duart e serbëve. Kamera ime, dokumentet e mia, gjithçka që kisha ishte në çantë. Serbët e prezantuan fillimisht mendoj në Prishtinë dhe pastaj në Beograd”, – rrëfen tutje ai.

Ndërsa pas një kohe, Refsdal ishte shpallur nga serbët, terrorist.

“Serbët pas disa javësh, dolën publikisht dhe thanë se arritën në përfundimin se unë nuk isha gazetar. Isha një terrorist ndërkombëtar. Terrorist ndërkombëtar. Mjekët në spitalin ushtarak, spitalin ushtarak të UÇK-së kur erdhën nga Prishtina, po qeshnin dhe thoshin se serbët thanë, ‘Ti je një terrorist ndërkombëtar’. Krahu më ishte thyer dhe nuk ndjeja asgjë. Këmba ime ishte plot me copëza të granatave. Në fund, ata duhej të më tërhiqnin poshtë malit. Arritëm në një spital pas, le të themi, 24 orësh. Ishte diku afër Malishevës. E dini si ishte…”, – ka thënë ai.

“Për pak ditë u trajtova në një spital në Malishevë, pastaj Luli(Kadri Veseli) më dërgoi në Drenicë”

“Pastaj erdhi Luli(Kadri Veseli), ai erdhi dhe tha, do të të transferojmë në Drenicë. Pas disa javësh më dërguan në Likoc. Kishin një spital të improvizuar atje. Po qëndroja atje për një farë kohe deri sa serbët filluan ofensivën dhe duhej të largoheshim – e cila ishte në vjeshtën e vitit 1998. Qëndrova atje 3 muaj e gjysmë.  Po rikuperohesha, por problemi ishte se nuk mund të dilja. Në atë kohë, kishim një Ministër të Jashtëm, Vollebæk, i cili më vonë u bë shefi i OSBE-së në 1999. Norvegjez”, – ka vazhduar rrëfimin e tij gazetari norvegjez.

Rafsdal, plagosjen e tij e ka quajtur ‘bekim të fshehur’, sepse siç tha ai, ministri i Jashtëm i Norvegjisë e mësoi që serbët gjithmonë mashtronin.

“Ai ishte Ministër i Jashtëm norvegjez. Ai po negocionte me serbët, dhe prandaj them se plagosja ime ishte një bekim i fshehur sepse kishte një norvegjez atje. Ai mësoi se serbët gjithmonë të mashtronin, gjithmonë të gënjenin. Një ditë thoshin, në rregull, ai mund të largohet, nuk ka problem. Ditën tjetër thoshin jo, ai ka shkelur ligjin ndërkombëtar”, – ka shtuar tutje ai.

Ai tregon se një pjesë të materialit të tij, e ka bërë me kamerën që ia kishte dhënë Kadri Veseli.

“A mund të them së pari se në vitin 1998, sepse çanta ime humbi, të gjitha pajisjet e kamerës humbën. Unë isha gazetar brenda zonës së UÇK-së, nuk kisha kamerë. Po flisja me Lulin dhe ai më dha kamerën e tij. Në vitin 1998, të gjitha fotot që bëra ishin me kamerën që më kishte huazuar Luli”, – ka shtuar ai

Paul Refsedal ka kaluar kohë brenda Kosovës në vitet 1998, 1999, gjatë bombardimeve, si gazetar, fotograf norvegjez, përderisa materiale të luftës së fundit në Kosovë, i ka dhuruar për “Reporting House”, e cila do të qëndroj e hapur deri në mes të shtatorit.

BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Ekspozita e “Reporting House” u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.