Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse KEDS po ia paguan borxhin KOSTT-it e KESCO jo?

Sabri Musiqi, u.d. i drejtorit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka thënë se ky operator duhet t’i inkasojë edhe 18 milionë e 600 mijë euro prej llogarisë balancuese.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ndër palët që i kanë borxh KOSTT-it janë KESCO dhe KEDS.

“KESCO aktualisht na i ka borxh 5 milionë e 910 mijë euro kurse KEDS 2 milionë e 583 mijë euro, këto janë deri më 1 shtator”, ka thënë Musiqi.

Sipas tij, KESCO dhe KEDS i kanë shlyer borxhet për muajin dhjetor.

“Vetëm për dhjetor siç u thashë ata i kanë pasur 18 milionë KESCO ndërsa KEDS i ka pas 11 milionë e diçka i kanë shlyer komplet të dhjetorit” – ka thënë Musiqi.

I pyetur se pse KEDS-i po e paguan borxhin e KESCO jo, Musiqi ka thënë se kjo çështje është ngritur vazhdimisht nga ana e KOSTT edhe në komitetin teknik emergjent.

Ai ka thënë se KESCO e ka për obligim të bëjë shpërndarjen proporcionale te të gjithë të licencuarit.

“KESCO e ka për obligim që mjetet që i inkason me bë shpërndarjen proporcionale tek te gjithë të licensuarit në fakt nuk e ka berë ketë. Të gjitha mjetet që i ka siguruar nga inkasimi i ka kry obligimet ndaj KEDS-t kurse pjesën e mbetur ka mbet me shpërnda” – ka thënë Musiqi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Por sipas tij një sjellje e tillë e KESCO-s është ndaluar gjatë muajit gusht pas insistimit të ZRRE-së.

“Sjellja e tillë e KESCO-s ka ndaluar gjatë muajit gusht më qe rast ka filluar që prej mjeteve të inkasimit me i kry obligimet në rend të parë ndaj neve. Kjo ka qenë me insistimin e ZRRE-së, kur i është kërkuar ta ndaloj praktikën e tillë” – shtoi ai.