Kervan: Dokumentet në gjuhën turke në Prizren lëshohen vetëm me kërkesë të qytetarëve

Enis Kervan, deputet nga Grupi Parlamentar multietnik në Kuvendin e Kosovës ka thënë se në komunat ku gjuha turke është zyrtare,  ligji zhvillohet në mënyrë më të përshtatshme.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ shtoi se përkundër faktit që në Prizren, gjuha turke është zyrtare, dokumentet lëshohen vetëm me kërkesë të qytetarit.

“Në këto komuna ku gjuha turke është gjuhë në përdorim zyrtar sipas meje ligji zhvillohet në mënyrë më të përshtatshme, ndërsa në Prizren për fat të keq ligji nuk është në fuqi, ngase përkundër faktit që gjuha turke në Prizren është gjuhë zyrtare, përkundër faktit që është e barabartë në kushte të barabarta, dokumentet lëshohen vetëm me kërkesë të qytetarëve”, ka thënë Kervan.

Sipas Kervan, gjuha turke është zyrtare edhe në Komunën e Mamushës në Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë dhe Gjilan.

Kervan potencoi në Kuvendin e Kosovës aktualisht kanë vetëm një përkthyes dhe janë në pritje të shpalljes së një konkursi edhe për një përkthyes tjetër.

Sonte në Emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet debati për edukimin në gjuhën amtare.