Gazetari norvegjez flet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Sylejman Selimin dhe Agim Çekun

Gazetari norvegjez i cili qëndroi në Kosovë gjatë luftës, 1998-99, foli për përshtypjet që i lanë udhëheqësit e UÇK-së.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, foli për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Sylejman Selimin dhe Agim Çekun.

Hashim Thaçi më bëri përshtypje si një njeri shumë serioz, shumë i butë. Gjithmonë kam menduar se kishte një komandant misterioz në krye. Mendova se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe Sulltani [Sylejman Selimi], këta ishin thjesht ndërmjetës dhe pastaj kishin dikë në krye. Asnjëherë nuk mendova se Hashim Thaçi ishte në të vërtetë në krye”, – tha ai.

Për Sylejman Selimin, Refsedal, thotë se mendonte që do të ishte i duhuri si komandant i gjithë UÇK-së.

“Sulltani do të thosha ishte një burrë … Nëse je një grup i vogël, le të themi jemi 10 ushtarë ose një togë, do të doja ta kisha atë si komandant, por nuk mendoj se ishte i duhuri për të qenë komandant i gjithë UÇK-së. Jam i lumtur që Agim Çeku me përvojën që kishte, e mori përsipër”, – shtoi ai

Ndërsa Çekun e përshkruan si njeri ushtarak i mirë trajnuar, duke shtuar se me ta ka folur anglisht dhe gjermanisht.

Ai thotë se pas masakrës së familjes Jashari, UÇK-ja nuk ishte e mirë-koordinuar.

“Problemi me UÇK-në ishte se pas masakrës së familjes Jashari gjithçka shpërtheu. Ata shkuan nga disa qindra në mijëra. Nuk kishin këtë korpus oficerësh të trajnuar. Një djalë që fitonte në shkurt, flinte me një pistoletë dhe jastëk ishte tani papritmas një komandant brigade”, – thotë ai

Paul Refsedal ka kaluar kohë brenda Kosovës në vitet 1998, 1999, gjatë bombardimeve, si gazetar, fotograf norvegjez, përderisa materiale të luftës së fundit në Kosovë, i ka dhuruar për “Reporting House”, e cila do të qëndroj e hapur deri në mes të shtatorit.

BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Ekspozita e “Reporting House” u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.