FSK - Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

‘Defender Europe 21’: Si arriti FSK-ja të marrë kontrollin e zonës dhe të eliminojë armikun plotësisht

Sonte në KALLXO.com dhe RTV Dukagjini po transmetohet emisioni #KallxoForca, episodi “Marrja e kontrollit” në kuadër të ushtrimeve të “Defender Europe 21”.

Ky është episodi i katërt i serisë dytë të emisioneve #KallxoForca i cili ka mbuluar “Europe Defender 21”, ushtrim fushor i ShBA-së, NATO-s dhe ushtrive të tjera aleate.

Skenari fushor i këtij ushtrimi është hipotetik, i trilluar dhe shërben vetëm si bazë për një ushtrim të thjeshtë ushtarak.

Dita e parë e ushtrimeve kishte të bënte me dislokimin dhe vendosjen e FSK-së në zonën operative, në mënyrë që të jetë në gjende të reagojë sipas urdhrave dhe detyrave të dakorduara me ushtritë aleate.

Në ditën e dytë, forcat e FSK-së janë sulmuar, por sulmi është dëbuar me sukses.

Ndërkaq në ditën e tretë, armiku ka tentuar ta shkatërrojë sistemin komunikues të FSK-së duke e sulmuar repetitorin kryesor, por edhe ky sulm është dëbuar dhe zona është pastruar nga forcat armike.

Në skenarin e sotëm, Kompania 1A ka pranuar urdhërat e ri: “kontrollin e zonës ta transferojë te kompania 1B, dhe të avansojë dhe ta zgjerojë zonën mbrojtëse. Menjëherë pas pranimit të urdhërit, udhëheqësit e secilit tog të kompanisë 1A janë mbledhur për t’i detajuar me saktësi secilin veprim, secilën detyrë në mënyrë që të jenë të gatshëm ditën e ardhshme.

Në orën 2:00 të mëngjesit ushtarët e kompanisë A janë zgjuar dhe do të sigurohen që para misionit armët janë funksionale, pajisjet përcjellëse janë në rregull dhe në fund sigurohen që kamuflimi është adekuat, sepse në pozicionet mbrojtëse, elementi i befasisë është më i rëndësishmi. Me kamuflimin e duhur, të vehtes dhe pajisjeve, ia pamundësojmë armikut t’i zbulojë pozicionet e tyre.

Secila njësi e secilit tog të Kompanisë 1A i kanë zënë pozicionet ende pa zbardhur dita. Nuk duhet të ketë kurrfarë zhurme, asnjë shkëndi e dritës, asgjë që do të mund të zbulontë pozicionet e FSKsë, ngase janë zënë pritat për njësitë speciale të forcave armike.

Në këtë skenar, ushtarët e FSK-së të cilët i kanë pasur detyrat e “forcave armike” e kanë marrë seriozisht rolin e tyre. Në këtë rast, ka qenë batalioni i Istogut ai i cili ka sulmuar, ndërsa batalioni i Gjilanit ai i cili është mbrojtur.

Forcat armike janë eliminiuar plotësisht. E tërë zona e operacionit është krehur, pastruar dhe e siguruar. Situata është nën kontroll dhe ka mbetur ushtrimi përfundimtar, në ditën e përmbylljes së këtij ushtrimi, mirëpo gjendja e gatishmërisë ende mbetet e lartë.

Forcat e Sigurisë së Kosovës për këtë ushtrim janë pajisur me disa pajisje shtesë, të cilat i kanë të vendosura në përkrenare dhe prazmore. Këto pajisje janë senzorë drite, të cilat reagojnë kur qëllohen nga drita laserike e armëve të cilat përdoren gjatë trajnimit, për të simuluar saktë se ai apo ajo ushtare janë qëlluar nga armiku, janë plagosur apo janë vrarë.

Armët nuk përdorin municion luftarak, por në vend të predhave lëshojnë rreze të shkurta drite, duke e bërë kështu ushtrimin shumë real ngase në rast kur dikujt i qëllohen sensorët në kokë apo trup, arma e saj ose e tij deaktivizohet dhe ajo ose ai duket të sillen sikur janë ose të plagosur ose të vdekur dhe jashtë ushtrimi.

“Europe Defender” është ushtrimi më i madh ku ka marrë pjesë Kosova dhe FSK, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetet e saj ushtarake.

KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në, në vazhdimësi ka përcjellë aktivitetet e pjesëtarëve të FSK-së dhe përmes një serie të emisioneve do t’i sjellë ekskluzivisht pamjet dhe detajet nga terreni.

Seria “Java e FSK-së”, do të zgjasë nga 25 korriku deri më 28 korrik.