Shkrimtarja e re që premton shumë

“Poezia nuk është e vështirë për poetët, duhet të besosh në penën tënde, t’a duash derisa të shndërrohet në qëllim e veprim sepse dështimi nuk është asgjë më shumë se një fuqi rikthimi”, kështu e përshkruan poezinë 18-vjeçarja nga Gjakova. 

Diellza Berisha ka filluar të merret me shkrime letrare qysh në moshën 13-vjeçare, duke shkruar ese, tregime dhe më vonë edhe prozë.  

Në moshën 17-vjeçare filloi për herë të parë të shkruaj poezi.

Në vitin 2019, ajo është bërë pjesë e letrarëve të rinj në Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, në Gjakovë, ku së fundmi mori pjesë në mesin e shumë poetëve vendorë dhe ndërkombëtarë në mitingun e 56-të të poezisë. 

Ajo në janar prezantoi librin e saj të parë me poezi të quajtur “Cikël Vetëdyzimi”. 

“Libri im i parë i takon gjinisë letrare të poezisë, të cilat nuk janë kufizuara në një temë, trajtimi bëhet në vija të përgjithshme, çoftë nga preukopime të jashtme dhe të brendshme, të cilat shërbejnë si stimulant për mendjen dhe intuitën”, thotë ajo.

Daut Demaku, Dritëro Agolli dhe Jakov Xoxa zënë vend të rëndësishëm në motivimin e saj për të shkruar si shkrimtare e re. 

Vajza nga Gjakova thotë se synon të vazhdojë të shkruaj por duke e sprovuar vetën edhe në zhanre të tjera, jo vetëm në poezi. 

Përveç letërsisë, ajo merret edhe me pikturë. Poetja e talentuar edhe në pikturë vitin e kaluar ka hapur një ekspozitë personale.

Autorja Era Rrmoku është nxënëse e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.