Atleti Bajram Malazezi në garën e tij debutuese

Ëndrra për hapa të mëdhenj në shtigje të gjata

Gjithmonë sportist, një herë futbollist e mandej atlet, Bajram Malazezi synon të bëj hapa të mëdhenj në disiplinat e atletikës ku ai është i fokusuar për të përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare.

Prizrenasi Malazezi ka filluar të merret me atletikë në moshën 16-vjeçare dhe tash është pjesë e Klubit të Atletikës “Lidhja e Prizrenit”.

Por 17-vjeçari i cili fillimisht është marrë me futboll e ka synim që të arrijë rezultate të mira në disiplinat e gjatësisë.

Gara e tij e parë si vrapues ka qenë për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar në vitin 2021.

“Në garën time debutuese mora pjesë në disiplinën 6 km e cila u mbajt për nder të 28 Nëntorit, për ketë garë u përkushtova shumë, gjatë 2-3 muajve, para garës isha më se i motivuar, isha në formë mjaft të mirë por duke e ditur se është gara debutuese, qëllimi kryesor ishte të merrja pjesë në atë garë”, ka thënë Malazezi.

Shtegun prej 6 kilometra e ka kaluar për 23 minuta, duke arritur që ta përfundojë garën në vendin e 5-të.

Djaloshi nga Prizreni vazhdon me përkushtim të madh të trajnohet dhe të ushtrojë për garat e tjera.

“Qëllimi im kryesor është jo vetëm në Kosovë të bëhem më i miri por edhe në të ardhmen ta përfaqësoj denjësisht Kosovën në garat ndërkombëtare”, ka thënë Malazezi.

Autori Bajram Malazezi është nxënës i shkollës së mesme të lartë “Remzi Ademaj” në Prizren.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.