Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Haradinaj, për të ecur përpara paralajmëron pajtim me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari AAK-së Ramush Haradinaj, nga Theranda ka dërguar mesazhin se Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen dhe ta njohin njëra tjetrën në mënyrë që Kosova të ecë përpara dhe të mos stagnoj drejt integrimit evropian.

Ai në Kuvendin zgjedhor të AAK-së në Therandë, tha para delegatëve të kësaj partie se Kosovës i duhet gjithsesi që të shkojë në OKB. Kjo sipas tij, është duke u njohur mes vete me shtetin fqinjë, Serbinë.

“Por për ta mbyllur rrugën tonë ne nuk duhet të frikësohemi të ecim përpara drejt anëtarësimit në OKB. Nëse na frikësohemi ta kërkojmë këtë të drejtë se po e tradhtojmë vetën rrugës, atëherë nuk kemi pasur nevojë të vijmë fare deri këtu, kemi mundur të ndalemi me kohë. Ne duhet të shkojmë gjithsesi deri në OKB, Kosova duhet të arrijë deri në anëtarësim në OKB se atëherë kryhet rruga e nisur. Nuk është lehtë për Kosovën me u njohtë me Serbinë, mu njohtë ne ndërvete nuk është lehtë, sepse ne e dijmë, i kemi këtu Berishët, e sa Berishë tjerë masakra në Kosovë, që Krushën e keni afër. Neve na duhet kur të njihemi me Serbinë t’ia japim dorën duke i ditur këto masakra, do ta bëjmë këtë sepse ne duam të ecim përpara”, tha Haradinaj.

Edhe para qytetarëve të Therandës, kreu i Qeverisë ka thënë se liberalizimit të vizave i ka ardhur koha që të bëhet sepse tani më kanë lidhur një kontratë me BE-në, siç është MSA-ja, që do të thotë se rruga e Kosovës drejt BE-së është nisur.

Kreu i ekzekutivit tha se gjitha këto do të bëhen, por jo duke lënë anash ekonominë dhe zhvillimin ekonomik, sepse janë duke bërë shumë edhe në këtë drejtim. Kryetari i Therandës, Bali Muharremaj, u shpreh se AAK e riktheu qeverisjen në Therandë dhe deri këtu kanë ardhur falë punës së madhe.

Ai tha se ka marrë obligime nga qytetarët për të qeverisur me Therandën. Muharremaj theksoi se për këtë kohë të shkurtër arritën t’i kryejnë shumë punë.

Kreu i komunës tha se premtimet që kanë dhënë po i realizojnë në gjashtë mujorin e parë të qeverisjes.

“Premtimet që i dhamë për katër vite po realizohen qysh në gjashtë mujorin e parë. Infrastruktura po ndryshon drejt përmirësimit si në qytet edhe nëpër fshatra. Arsimi është në proces të krijimit të metodave bashkëkohore për arsim cilësor, jemi duke punuar bashkë edhe me opozitën edhe me shoqërinë civile, për të pasur sukses çdo herë duhet të bashkëpunojmë kur është interesi i qytetarëve”, theksoi Muharremaj.

Ai shtoi se për interesin e qytetarëve po bashkëpunojnë edhe me opozitën.

Muharremaj shtoi se do të bëjnë investime milionëshe në të gjitha sektorët. Madje, Muharremaj tha se ndonjëherë po mendon se Theranda është Suedi, pasi sipas tij, në çdo fshatë po punohet pa ndalë, edhe të shtunën edhe të dielën.

AAK-ja ka mbajtur kuvendin e tetë zgjedhor edhe në Klinë, e Rahovec. Nga Klina, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dërgoj mesazhin se qytetarët e vendit shumë shpejt do të lëvizin pa viza.

“Para se të mbërrijmë statusin e kandidatit ne kemi një kërkesë shumë modeste, shumë të vogël për BE-në por shumë e madhe për ne, liberalizimin vizave, pra që të jemi qytetarë të lirë edhe ne. Po punojmë në këtë drejtim, pra është një agjendë e Kosovës që duhet Qeveria non-stop me punuar në të, e nuk guxon me ba shumë zhurmë, e duhet me pas kujdes qysh me dëshmuar, qysh me prezantuar, qysh me shërbyer te qeveritë nacionale, që çdo qeveri e 28 vendeve të BE-së me na pranuar se kemi ba progres, e me na pranuar që bën me na u dhanë liberalizimi i vizave, e mos me u frikësuar ata që kur liberalizohemi nuk shkojnë më shumë kriminel, nuk i mbushim burgjet atje, e nuk shkojnë as refugjatë, por me ba shkëmbime”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo do të ndodh, por ka kërkuar ndihmën e të gjithëve. Derisa, ka ritheksuar se ka ardhur koha për ushtrinë e Kosovës.

“Ne jemi me mbajt KFOR-in këtu, përjetë le të rrinë këtu, trupat mike që na kanë ndihmu në kohë rreziku, por gjithashtu është koha edhe Kosova e pas ushtrinë e vet, por edhe ne me ja nis m dhanë ndihmë NATO-s e KFOR-it. Jo vetëm në Kosovë e në rajon por edhe në botë. Është vitit kurdo të vendoset edhe për këtë punë, jo pse unë po e bëj punën aq mirë dhe është rezultat vetëm i punës time, por i ka ardh koha. Ky është viti i vendosjes për Ushtrinë”, ka thënë ai./RTV21/