“Kthimi” Fiton në Sundance

Festivali Sundance në New York ka shpërblyer filmin “Kthimi” të Blerta Zeqirit, si Filmi më i Mirë Ndërkombëtar. Kësisoj, filmit shqip i hapet mundësia për të konkurruar për çmimin prestigjioz të “Oscar”-it.

Ndërsa të gjithë artistët e kinematografisë në Kosovë, ëndërrojnë Holliwood-in, për Blerta Zeqirin dhe Blerim Gjocin kjo është bërë realitet.

“Jam shumë e lumtur që e kam fitu këtë çmim. Shpresoj me krejt zemrën që ky shpërblim të më ndihmoj në projektin e ardhshëm filmik, i cili do të jetë një film i metrazhit të gjatë. Filmi është pasioni im dhe do të bëj çmos që ky shpërblim të jetë fillimi i karrierës sime në filmbërje”, tha regjisorja e filmit, Blerta Zeqiri, ekskluzivisht për Gazetën JnK.
 
“Të fitosh në Sundance është si një ëndërr që shpesh nuk guxon ta ëndërrosh”, i tha gazetës, Blerim Gjoci , producent i filmit.

“Më në fund, Sundance fliste shqip, dhe Sundance shpërbleu shqipen, dhe e futi në garën për Oscar”, u shpreh Gjoci, në një komunikim përmes internetit.

Filmi i regjisores kosovare, Blerta Zeqiri, i prodhuar nga “Prishtina Film”, është filmi i parë kosovar, por edhe shqiptar, që merr pjesë në programin zyrtar të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA dhe kthehet me trofe.  Filmi shkoi në Sundance si fitues i Festivalit “Nine Eleven”.

Pas shqyrtimit të 7,675 filmave të shkurtër nga anembanë bota, “Sundance Film Festival” përfshiu filmin “Kthimi” të regjisores Zeqiri në mesin e 64 filmave të programit të filmit të shkurtër të këtij festivali prestigjioz.

“Sundance” është themeluar nga aktori i famshëm amerikan Robert Redford dhe njihet si festivali më i madh i filmit të pavarur në SHBA. Mbahet çdo vit në Park City, Utah.

Shumë regjisorë të njohur botërorë si Quentin Tarantino, Jim Jarmush, Alexander Payne, Robert Rodrigez, Kevin Smith, Steven Soderbergh, Spike Jonze kanë dalë nga ky festival.

Filmi “Kthimi” është një histori e pasluftës dhe flet për një burrë (Lulzim Bucolli), i cili i kthehet gruas (Adriana Matoshi) dhe djalit të tij nga një burg i Serbisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që kur është shpallur i zhdukur. Të vazhdohet aty ku e kanë lënë katër vite më parë mund të mos jetë aq e lehtë sa duket.

Kjo nuk është hera e parë që regjisorja Zeqiri bën film për luftën. “Që nga lufta e Kosovës, mendoj shumë mbi atë se sa e fortë është mendja e njeriut, sa shumë mund të durojë një person dhe sa lehtë njerëzit i kapërcejnë situatat që në shikim të parë duken të papërballueshme dhe në një mënyrë, vazhdojnë të jetojnë jetë ‘normale’”, ka deklaruar ajo, në një prononcim, më herët për media.