Ikja e Trurit

Ka më shumë se një muaj prej kur jemi dëgjuar së fundi, sepse kam qenë shumë e sëmurë. Diagnoza ime – ikja e trurit.

Po, për fat të keq më duhet të konstatoj se edhe mua më kanë kapur ethet ballkanike, nga të cilat kryesisht vuajnë të rinjtë e këtij rajoni. Kjo sëmundje së pari u paraqit gjatë viteve të nëntëdhjeta, kur me mijëra të rinj të arsimuar u shpërndanë nëpër botë duke kërkuar një të ardhme më të mirë.

Kjo sëmundje fatale kryesisht i prek të rinjtë me arsimim universitar që kanë dije, vizion, ideale… Por, nuk kanë asgjë tjetër – andaj duan të ikin larg nga këtu e drejt viseve që premtojnë më shumë. Ikin për të zhvilluar shoqëritë e të tjerëve, ekonomitë e të tjerëve dhe shpesh mendojnë që kurrë të mos kthehen në vatrat e tyre.

Sigurisht se hamendeni çka më dëshpëroi kaq shumë? Ka gjasa që edhe vetë ta keni përgjigjen në këtë pyetje. Ka shumë mundësi që edhe ndokush që jeton afër jush të ketë diagnozë të ngjashme, nëse jo identike me këtë. Mbase simptome të ngjashme mund të gjeni edhe tek vetvetja. Edhe unë pyes veten se çka më dëshpëroi aq keq, saqë më shtyri të merrem me këto tema të vështira, por besoj se nuk kam zbuluar gjë të re, dhe thjeshtë po e them me zë se jam shumë e pakënaqur me statusin aktual shoqëror të të rinjve të arsimuar.

Zakonisht, së paku një herë në muaj takohem me shoqe, pimë kafe dhe trajtojmë të gjitha temat e mundshme jetësore dhe shpesh ndodh që ndonjëra prej tyre përnjëherë të thotë se iu ka mbushur kupa, se është lodhur duke luftuar me mullinjtë e erës dhe duke kërkuar një vend pune, megjithëse ka diplomuar me notën më të lartë në gjeneratë dhe se flet disa gjuhë të huaja. Më pas, biseda jonë përmbyllet duke arritur te përfundimet se askush nuk mund të gjejë punë pa pasur lidhje, politike apo të tjera, apo se punësimi është i mundshëm vetëm “falë” korrupsionit të zhvilluar.

Me procesin e liberalizimit të vizave për rajonin, Evropës i është shfaqur edhe një problem tjetër, ngase ajo nuk na pranon që të qëndrojmë atje përherë, ajo kërkon që ne të shëtisim pak nëpër të (si turistë natyrisht) dhe që më pas të kthehemi nëpër shtëpitë tona.

Ky fluturim magjik nëpër kohë, si në nëpër filmat e zhanrit fantastiko-shkencor, përbën një moment të shkëlqyeshëm për të rinj të shumtë të cilët janë ngopur me çdo gjë, filluar nga lufta, izolimi, turbulencat e vazhdueshme shoqërore, ekonomisë labile dhe, më e rëndësishmja, një e ardhme tejet e pasigurt.

Ky moment që ende është thjesht një ëndërr për banorët e Kosovës do të mund të bëhej realitet në të ardhmen.

Kosova është vrima e zezë e lëvizjes së lirë në rajon dhe përballet me izolim fare pa arsye.

Përkrah problemeve të tjera me të cilat përballet shoqëria kosovare, edhe kjo çështje shkakton tensionim të mëtejmë dhe sipas meje edhe më shumë ua shton dëshirën për të ikur të rinjve, të cilët sa shkon koha humbin çdo herë e më shumë durimin.

Përfundimisht më duhet të pranoj publikisht se nga një optimiste e madhe jam shndërruar në një pesimiste të madhe dhe se për këtë arsye nuk gjej frymëzim për të shkruar dhe nuk shoh kurrfarë drite në fund të tunelit. Prandaj, do të doja që për këtë problem të flitet publikisht dhe të zbulohen arsyet përse të rinjtë po e humbin besimin, shpresën, entuziazmin për të ndryshuar dhe për të ndikuar në formësimin e së ardhmes së tyre… e më pas edhe të punohet sistematikisht në ndryshimet shoqërore të cilat do t’u ofronin më shumë hapësirë veprimi të rinjve.

Ndërkohë, vetes do t’ia përshkruaj një terapi më optimiste që përfshin më shumë optimizëm, më shumë libra dhe më shumë udhëtime… e cila shpresoj se do të më ndihmoj të rimëkëmbem.

Për shkrimin e radhës ju premtoj më shumë optimizëm, e për ta gjetur atë do filloj me stërvitje që sot 

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës.