Ish-drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj

Detaje nga kontrata e Arben Gjukajt, ish-drejtorit menaxhues të KEK-ut

Pas 10 viteve si drejtor menaxhues në KEK, Arben Gjukaj në fund të muajit maj të këtij viti dha dorëheqje nga kjo pozitë, të cilën e kishte mbajtur që nga qershori i vitit 2008.

Në muajin maj, pak para dorëheqjes së Arben Gjukajt, Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar qasje në kontratën e tij.

Por, KEK nuk na ka lejuar qasje me arsyetimin se kontrata është një marrëveshje mes punëtorit dhe punëdhënësit dhe si e tillë është personale për secilin punëtor.

“Kontratën në fjalë për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve publike, në të cilën bën pjesë edhe Drejtori Menaxhues (DM), është aprovuar nga bordi paraprak sipas mandatit, kontratat janë konfidenciale dhe KEK nuk ka autorizim për zbulimin e të njëjtave”, thuhej në përgjigjen e KEK në lidhje me kërkesën e Gazetës Jeta në Kosovë për qasje në kontratën e Arben Gjukajt.

Kërkesa e Gazetës ishte bërë në kohën kur Bordi i KEK-ut kishte shpallur konkurs për pozitën e drejtorit menaxhues ndërkohë që Gjukaj kishte kontratë valide. Gjatë hulumtimit, Bordi i KEK-ut kishte thënë se në kontratën e Gjukajt kishte elemente të kundërligjshme.

Por, në kohën kur është kërkuar qasja KEK-u nuk ka lejuar siç kërkohet me Ligjin për qasjen në dokumentet publike.

Me 9 gusht, gati tre muaj pas kërkesës për qasje në kontratë dhe tashmë pas dorëheqjes së Gjukajt nga pozita e drejtorit menaxhues, KEK-u ka lejuar qasje në kontratën e tij.

“Ju njoftojmë se pas konsultimeve me ish-drejtorin menaxhues, Arben Gjukaj dhe Bordin e Drejtorëve të KEK-ut, kemi marrë aprovimin e dy palëve për t’iu dhënë qasje në kontratën e z. Arben Gjukaj”, thuhej në përgjigjen e KEK.

Kompensimi i Arben Gjukajt sipas kontratës

Në kontratën e Arben Gjukajt është fshirë paga mujore bazë edhe pse ai ka qenë drejtor menaxhues në një ndërmarrje publike, zyrtarët e të cilëve deklarojnë pagat në Agjencinë Kundër Korrupsion çdo vit.

“Një pagë mujore bazë (bruto) prej … euro, e pagueshme sipas orarit të pagesave të pagave të KEK-ut. Niveli i pagës është personal dhe është konfidencial, dhe si i tillë është një çështje mes z. Gjukaj dhe Bordit të Drejtorëve të KEK-ut”, shkruhet në kontratën e Gjukajt.

deklarimin e pasurisë në vitin 2016, Gjukaj kishte deklaruar se nga KEK-u merr pagë vjetore prej 28 mijë e 963 euro, në vitin 2017 në Agjencinë Kundër Korrupsion, Arben Gjukaj kishte deklaruar pagë vjetore prej 38 mijë e 620 euro kurse në vitin 2018, pak muaj para dorëheqjes, ish-drejtori menaxhues i KEK-ut kishte deklaruar pagë mujore me vlerë 38 mijë 476 euro.

Përveç pagës, te kontrata e Gjukajt thuhet se ai ka përfituar edhe një pagesë vjetore stimuluese deri në 21 për qind të pagës bazë bruto vjetore, e pagueshme në fund të çdo viti fiskal.

“Niveli i pagesës stimuluese do të përcaktohet nga Bordi i Drejtorëve të KEK-u, bazuar në vlerësimin e performancës së kryer nga Komiteti i Auditit në fund të çdo viti fiskal. Përveç në rast të shkëputjes së kësaj Marrëveshje në përputhje me nenin 7.4 (a), vlerësimi do të ndërmerret në ditën e shkëputjes”, thuhet në kontratë.

Në vitin 2018, Gjukaj ka deklaruar pagë vjetore në KEK prej 38 mijë e 476 euro, nëse këtë numër e pjesëtojmë me 12 muaj atëherë del se ai për një muaj ka marrë 3.206 euro. Por, Gazeta JnK nuk ka arritur të vërtetojë nëse Gjukaj në deklarimin e bërë në AKK i ka përfshirë edhe bonuset e mundshme bazuar në kontratën e tij të punës si drejtor i KEK-ut.

Vlerësimi i Gjukajt ka qenë i fokusuar në nivelin e performancës në tri fusha kyçe, përkatësisht, performanca individuale e Gjukajt, performanca e përgjithshme e KEK-ut, dhe performanca e secilit divizion të KEK-ut.

“Indikatorët e performancës për secilën prej këtyre fushave do të bazohen në caqet e theksuara në planin vjetor afarist të KEK-ut. Për më tej, performanca individuale e z. Gjukaj do të vlerësohet kundrejt caqeve personale, të cilat do të pajtohen me z. Gjukaj”, vazhdon kontrata.

Kohëzgjatja dhe shkëputja e kontratës

Kontrata e nënshkruar nga Gjukaj në pjesën e parë të vitit 2017 nuk kishte kohëzgjatje të kufizuar, pra ishte e përgjithshme. Por, shkëputja e saj ishte paraparë të bëhej bazuar në Ligjin për Ndërmarrje Publike.

Sipas kushteve të kontratës, marrëveshja mes KEK-ut dhe Arben Gjuajt mund të shkëputej në zgjatjen e vetme të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut pa ndonjë arsye, gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes në përputhshmëri me nenin 71 të Ligjit të Punës në fuqi, ligjit nr.03/L-212.

Në këtë rast Gjukajt do t’i paguhej një pagesë prej 12 pagave mujore bazë për ndarje nga puna.

“Çfarëdo pagese nxitëse vjetore e detyrueshme duhet gjithashtu të paguhet në baza proporcionale të vlerësuara në ditën e shkëputjes. Data e shkëputjes duhet të theksohet  në njoftimin e dhënë nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut”, theksohet në kontratën e ish-drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj.

Edhe Gjukaj kishte të drejtë të kërkonte shkëputje të kontratës gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj por me kusht që ta njoftonte KEK-un 15 ditë më herët.

Me marrjen e këtij njoftimi KEK do t’i paguante Arben Gjukajt për 12 muaj të tjerë pagën bazë për ndarje nga puna.

“Me marrjen e njoftimit për shkëputje, KEK-u rezervon të drejtën që menjëherë të shkëputë këtë marrëveshje dhe të paguajë z.Gjukaj pagën bazë për 15 ditë, dhe t’i paguhet një pagesë prej 12 pagave mujore bazë për ndarje nga puna”, shkruhet në kontratë.

Pra, edhe pas dorëheqjes së Arben Gjukajt, sipas kontratës, ai do të vazhdonte të merrte pagën bazë të drejtorit menaxhues të KEK-ut edhe për 12 muaj të tjerë.

Në bazë të deklarimit të pagës vjetore në AKK, ai do të merrte rreth 38 mijë euro nga qershori i këtij viti deri në fund të muajit maj të vitit 2019.

Por tashmë ish-drejtori menaxhues i KEK ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk i ka marrë pagat të cilat janë potencuar në kontratë.

“Ua konfirmoj që nuk kam pranuar asnjë pagesë me rastin e dorëheqjes time”, ka thënë Gjukaj.

Gjukaj po ashtu ka rrëfyer për KALLXO.com se tani është sistemuar në kuadër të Zyrës për Planifikim dhe Strategji në KEK.

“Duke qenë se kam mbetur pjesë e KEK-ut, unë me vetëdëshirë kam hequr dorë nga të gjitha detyrimet qe ka Korporata ndaj meje, bazuar në dispozitat e kontratat e mëhershme”, ka deklaruar Gjukaj për Gazetën JnK.

Njazi Thaqi, kushëriri i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është emëruar u.d në KEK pas dorëheqjes së Arben Gjukajt.

Kontratën në tërësi të ish-drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj mund ta lexoni KËTU.

Përfitimet e tjera të Gjukajt në bazë të kontratës

Duke u bazuar në marrëveshjen kontraktuale në mes të KEK dhe Arben Gjukajt, atij i ka takuar pushimi me pagesë gjatë festave zyrtare, të cilat janë të theksuara në Ligjin për Festat Zyrtare.

Po ashtu Gjukajt i ka takuar pushimi me pagesë në përputhje me kushtet e përgjithshme të punësimit për punëmarrësit e KEK-ut.

Edhe sa i përket sigurimit shëndetësor, KEK-u është pajtuar që të përfshijë Gjukajn në çdo plan shëndetësor që bëhet për punëmarrësit e tij.

Arben Gjukajt sipas kontratës do t’i takonte edhe pjesëmarrja në çfarëdo plani pensional të adaptuar dhe operuar nga KEK-u për përfitimin e punëmarrësve të tij.

“Kompensimi i shpenzimeve: Z.Gjukaj do t’i takojë kompensimi për të gjitha shpenzimet e arsyeshme, duke përfshirë udhëtimet dhe dëfrimet, e shpenzuara sipas rregullave gjatë ekzekutimit të detyrave të tij, dhe të cilat janë në përputhje me kushtet e përgjithshme të punësimit për punëmarrësit e KEK-ut”, potencohet në kontratë.

Sipas kontratës, Arben Gjukaj ka qenë përfitues edhe i një automjeti të përshtatshëm, të cilin ai ta voziste personalisht apo edhe me shofer gjatë orarit zyrtar të punës.

“Përdorimi i automjetit të lartpërmendur nga z.Gjukaj do të bëhet në përputhje me kushtet e përgjithshme të punësimit për punëmarrësit e KEK-ut dhe ndonjë rregulle apo rregullore për përdorimin e automjeteve që është në fuqi”, vazhdon kontrata.