VIDEO - Rrëfimi i rekordmenes nga Skenderaj që hyri tre herë në librin e Guinness dhe po synon të katrën

Artistja e origamisë Arbnora Fejza Idrizi planifikon t’ia kushtojë rekordin e katërt në Guinness flamurit kombëtar, më 28 nëntor.

Mirëpo, ajo nuk ndahet e kënaqur me vlerësimin nga ana e institucioneve të Kosovës.

Arti për t’i dhënë formë letrave, duke mos përdorur asgjë tjetër, është veprimtaria që ka zhvilluar për disa vite, Arbnora Fejza Idrizi.

Veprat e saj në origami janë certifikuar nga Libri i Rekordeve Guinness si rekorde botërore ku deri më sot ajo mban tri prej tyre dhe jo vetëm kaq, pasi është duke planifikuar rekordin e katërt.

Më parë ia kishte kushtuar flamurit të Kosovës, kurse këtë herë do t’ia kushtojë flamurit kombëtar.

Në një intervistë për KALLXO.com, Idrizi ka treguar se fillimet kanë qenë të vështira, pasi që kostoja për ta realizuar një rekord botëror është shumë e lartë.

Kur s’ka pasur mundësi t’i mbulojë shpenzimet e rekordeve tjera, është dashur t’i riciklojë, përpunoj letrat e rekordeve të mëhershme.

Pavarësisht sukseseve, Idrizi nuk është e kënaqur me vlerësimin që i kanë bërë institucionet e Kosovës deri më sot, sepse ka pritur një mbështetje pak më të madhe.

“Me thënë të drejtën nuk jam edhe shumë e kënaqur, sepse ka pasur mundësi ndoshta me pas një mbështetje më të madhe, mirëpo ministria ka ndarë një kosto minimale, të cilën ndoshta nuk ka qenë e përballueshme për mua dhe është dashur ndonjëherë edhe shpenzimet t’i mbulojë edhe vet” – është shprehur Idrizi.

Idrizi ka treguar se, përkundër ftesës, asnjë zyrtarë nga Ministria e Kulturës nuk ka marrë pjesë në ceremonitë e projekteve të mëparshme.

Ministria e Kulturës ka thënë për KALLXO.com se kjo ka ndodhur për shkak se nuk i ka monitoruar ato aktivitete.

‘‘Sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete, Ministria e Kulturës nuk ka obligim të marrë pjesë në të tilla, përveç atyre që monitoron. Natyrisht monitorim do të ketë edhe në projektin e Znj.Arbnora Fejza Idrizi që do ta realizoj këtë vit’’ – kanë thënë nga ministria.

Për rekordin e katërt ajo planifikon ta përpunojë flamurin kombëtar me 5,000 pjesë letre dhe 5000 veshje kuq e zi.

Kjo vepër pritet të realizohet më 28 nëntor të këtij viti dhe do të vlerësohet fizikisht nga zyrtarë të Guinness, të cilët do ta vizitojnë Kosovën për herë të parë.

Duke pasur parasysh koston e këtij projekti ajo ka kërkuar mbështetje nga Ministria e Kulturës në Kosovë, të cilët sipas saj, i kanë dhuruar një shumë prej 11,000 eurosh.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Kulturës e ka konfirmuar për KALLXO.com këtë mbështetje që i është ndarë Idrizit në vitin 2022.

Për shkak se Idrizi nuk e ka mbuluar të gjithë shumën e nevojshme për projektin, i është dashur t’i kërkoj ministrisë që ta zgjasë afatin për realizimin e projektit deri në fund të vitit 2023.

‘’Sa i përket asaj që përfituesja nuk është e kënaqur me shumën, ne nuk kemi çfarë të shtojmë në këtë pikë. Znj. Arbnora Fejza Idrizi ka nënshkruar kontratën në pajtim të plotë, pra ka pranuar atë shumë të parave. Ne vlerësojmë që 11,000 Euro janë një shumë e konsiderueshme parash, dhe natyrisht secili individë është i lirë që të kërkoj financim edhe në të tjera burime’’ – janë përgjigjur nga ministria.

Ajo poashtu ka bërë kërkesë për mbështetje edhe në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, të cilët sipas saj nuk i kanë ofruar mbështetje për këtë vit.

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka thënë për KALLXO.com se, në kohën kur kishte aplikuar për mbështetje Idrizi, thirrja për aplikime për vitin 2023 sapo ishte mbyllur.

‘’.. kërkueses i është bërë me dije se është e pamundur për Ministrinë e Kulturës të angazhohet në projektin e rekordit Guinness, duke ftuar që mund të bëhet pjesë e aplikimeve për projekte kulturore-artistike për vitin 2024’’ – kanë shkruar në përgjigjen e tyre.

Drejtori i Kulturës në komunën e Skenderajt, Alban Berisha, ka thënë se kanë vlerësuar ta mbështesin këtë vepër me një shumë prej 500 euro, mirëpo Idrizi e kishte refuzuar.

‘’Znj. Fejza Idrizi ka refuzuar të nënshkruaj kontratën për projektin e mbështetur nga DKRS-ja. Ne nuk kemi pranuar ndonjë ankesë me shkrim nga zonja në fjalë dhe nuk kemi arsye se përse e ka refuzuar mbështetjen nga DKRS-ja.’’ – ka shkruar në përgjigjen e tij, Berisha.

Përgjatë realizimit të veprës, Idrizi ka thënë se ka një kohë të limituar për ta realizuar atë dhe se ndër rregullat kryesore të Guinness është të mos griset letra.

Artistja kosovare si rezultat i këtyre pakënaqësive mendon ta lë Kosovën, duke qenë se është interesuar një shtet tjetër që ta përfaqësoj atë në Guinness.

Sukseset e Arbnora Fejza-Idrizit KALLXO.com i kishte raportuar në vazhdimësi.

Tri rekordet që ka realizuar Idrizi kanë qenë, lulja më e madhe në botë (1 shtator 2018), vazo më e madhe në botë (6 shtator 2019) dhe flamuri më i madh në botë (flamuri i Kosovës, 6 shkurt 2021).

Pas rekordit të tretë ajo ishte shpërblyer me një pozitë nga Komuna e Skënderajt, si drejtoreshë e institucionit parashkollor.