Stili i Rrugëve të Prishtinës ka Adresë

“Nuk e kam ditur se si do të reagojnë njerëzit ndaj këtij projekti dhe a do të bezdisen nëse i fotografojmë,” shprehet Isuf Shala, i njohur si Jusa, i cili e krijoi ueb faqen Prishtina Street Style vitin e kaluar. 

Atë kohë as mendja nuk i kishte shkuar se në më pak se një vit do të kishte 25,000 përkrahës në Facebook dhe që secila foto do të tërhiqte qindra komente. 

“Isha i befasuar se si njerëzit nga Prishtina ishin të gatshëm të jenë pjesë e sajtit tonë të modës.”

Ideja i erdhi në maj të vitit 2011, dhe menjëherë në korrik sajti ishte i gatshëm për publikim. 

“Nuk ka kushtuar shumë, përveç kamerës së shtrenjtë për të cilën kishim nevojë. Dhe unë, bashkë me shokët e mi, e bëmë idenë tonë realitet, dhe po i pasqyrojmë botës se sa bukur duken njerëzit e Prishtinës”, vazhdon ai. 

“Isha i vetëm kur fillova të punojë në këtë ueb faqe, dhe tani ekipi ynë përbëhet nga dhjetë anëtarë, të cilët punojnë në dizajn, ekspozim, dhe blogje.”

Ai shpreson që fotot në të ardhmen do të publikohen në një revistë.

“Kemi filluar gjithashtu edhe me vizita njëditore në qytetet e tjera të Kosovës, si p.sh.: kemi qenë një ditë në Mitrovicë, dhe planifikojmë të vizitojmë edhe qytete të tjera, por këto vizita do të jenë një ditore” shton ai. 

“Targeti ynë është veçanërisht Prishtina pasi që e dimë se moda është e koncentruar më shumë këtu, dhe shohim shumë njerëz me stil, të cilët vishen bukur, në mënyrë kreative.”

“Ne duam të promovojmë kreativitet dhe stil,” përfundon Jussa.

Vizito: www.prishtinastreetstyle.com 

për më shumë informacione bashkohuni në faqen e tyre zyrtare në facebook: http://www.facebook.com/Prishtinastreetstyle