Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]_ Grafika: KALLXO.com

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]_ Grafika KALLXO.com

Mbi 11 mijë biznese të reja të regjistruara në vitin 2022, shifra më e lartë që nga viti 2009

Përgjatë vitit 2022, numri i ndërmarrjeve apo bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë, është 11,024, me një rritje për 375 biznese më shumë se në vitin 2021.

Përveç kësaj, në vitin 2022, evidentohet numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara që nga viti 2009 e këndej.

Në vitin e kaluar, numri më i madh i bizneseve apo ndërmarrjeve të regjistruara, sipas seksionit të aktivitetit ekonomik , i përkasin tregtisë me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 2,598 ndërmarrje të reja, pastaj sektori i ndërtimtarisë me 1,239 ndërmarrje, sektori i prodhimit me 1,219 ndërmarrje, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 1,119 ndërmarrje të regjistruara dhe sektori i aktiviteteve  profesionale, shkencore dhe teknike me 1,068 ndërmarrje të regjistruara.

Regjistrim të ndërmarrjeve të reja pati edhe në aktivitetet tjera por me shifra më të ulëta.

Në anën tjetër, vjet u shuan mbi 1,400 biznese apo 196 biznese më pak në krahasim me vitin 2021.

Grafika_Numri i ndërmarrjeve të regjistruara dhe atyre të shuara sipas viteve_Burimi: ASK
Grafika_Numri i ndërmarrjeve të regjistruara dhe atyre të shuara sipas viteve_Burimi: ASK

Sipas të dhënave të ASK-s, në Kosovë çdo vit regjistrohen mesatarisht rreth 9,450 biznese ndërsa shuhen rreth 1,428 sosh.

Për tre muaj mbi 2,600 biznese të regjistruara

Në tre muajt e fundit të vitit 2022, tetor-dhjetor, ASK njofton se në Kosovë janë regjistruar mbi 2,600 biznese.

“Në TM4 2022, gjithsej janë regjistruar 2.636 ndërmarrje, ku krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2022) ka një rënie për 3.15% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me  tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021) ka një rritje për 9.10% të ndërmarrjeve të regjistruara.” – thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 645 ndërmarrje të regjistruara 24.5 për qind, ndërtimtaria me 322 ndërmarrje të regjistruara 12.2 për qind, prodhimi me 262 ndërmarrje të regjistruara 9.9 për qind, aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 254 ndërmarrje të regjistruara 9.6 për qind, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 232 ndërmarrje të regjistruara 8.8 për qind etj.

Ndërkaq, sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, del se: në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 543 ndërmarrje të regjistruara (96.5%); me 5 deri 9 të punësuar janë 59 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 22 ndërmarrje të regjistruara (0.8%); me 20 deri 249 të punësuar janë 12 ndërmarrje të regjistruara (0.5%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujor.

Të dhënat e ASK-së, rendisin Komunën e Prishtinës të parën sa i përket numrit të ndërmarrjeve të regjistruara.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 809 ndërmarrje të regjistruara 30.7 për qind, Ferizaj me 233 ndërmarrje të regjistruara 8.8 për qind, Prizreni me 178 ndërmarrje të regjistruara 6.8 për qind, Peja 142 ndërmarrje të regjistruara 5.4 për qind, Gjilani me 130 ndërmarrje të regjistruara 4.9 për qind, dhe Gjakova me 113 ndërmarrje të regjistruara 4.3 për qind. Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.”- bën të ditur ASK.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] i bëri të ditura me publikimin “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2022”.