Ky Nuk është vend për të rinjtë!

Jemi mësuar të dëgjojmë se aseti kryesor i Kosovës janë të rinjtë. Madje, fakti që Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, u përdor edhe si slogan i reklamës milionëshe për promovimin e shtetësisë së Kosovës në botë – “Kosovo – the young europeans”.

Por, si duket jeta e një të riu të zakonshëm në Kosovë?

Deri në moshën 18 apo 19 vjeçare, një i ri kosovarë kalon nëpër sistemin arsimor fillor dhe të mesëm, në një sistem edukativ i cili nuk e përgatit për asnjë lloj pune në momentin që ai mbush moshën madhore dhe klasifikohet legalisht si i aftë për punë.

Pas kryerjes së shkollës së mesme, të vetëdijshëm që nuk mund të gjejnë një vend pune, të rinjtë përcaktohen për njërën nga këto rrugë: të marrin statusin e studentit, ose të shikojnë mundësi për të ikur jashtë vendit.

Nëse zgjedh rrugën e dytë, ata kanë dy zgjedhje: të provojnë mundësitë e lidhjes së një martese të kurdisur, apo të marrin rrugë për të dalë ilegalisht jashtë vendit. Këtu përfundon kontributi që shteti i Kosovës ka bërë për këta të rinj që synim kryesorë kanë ikjen jashtë vendit.

Ata të rinj të cilët regjistrojnë studimet në universitetet publike apo shumicën prej atyre private, për tri apo katër vite marrin një shkollim i cili ose nuk i aftëson për tregun e punës, ose tregu i punës nuk është i aftë për t’i absorbuar.

E në moshën 23-24 vjeçare, një i ri i diplomuar sërish ndodhet në udhëkryq: të vazhdojë edhe për dy vite studimet post diplomike dhe në këtë formë të rris shanset për punësim; apo të zgjedh rrugën që disa nga bashkëmoshatarët e tij e kanë zgjedhur katër vite më herët se ai: të shikoj mundësitë për të dal jashtë vendit?

Ata të cilët vendosin të vazhdojnë studimet post diplomike, pas dy apo tri viteve, janë pajisur me një diplomë më shumë, por njohuritë e fituara gjatë studimeve post diplomike janë të të njëjtit nivel me ato themelore. Kurse në të shumtën e rasteve përvoja e tyre e punës është zero. E numri i kësaj kategorie të të rinjve, sipas regjistrimit të popullsisë më 2011,është së paku 7 mijë.

Me diplomë magjistrature në xhep, ata nuk lëshojnë konkurs pa aplikuar dhe shumë shpejt përballen me problemin kryesor: pjesa më e madhe e konkurseve në sektorin publik kërkojnë aplikantë me përvojë pune tri e më shumë vite; e edhe punëdhënësit në sektorin privat më shumë interesohen për përvojën e punës se sa për nivelet e studimeve.

E këta të rinj që kanë mbaruar magjistraturën dhe kanë vështirësi të gjejnë një punë janë sërish në udhëkryq: të përpiqen edhe ca muaj apo vite që të sigurojnë një vend pune, apo të ndërmarrin rrugën të cilën disa bashkëmoshatarë të tyre e kanë marr para tri vitesh apo menjëherë pas shkollës së mesme – të emigrojnë jashtë vendit.

Gradualisht, këta të rinj arrijnë moshën kur nuk bëjnë më pjesë në grupmoshat e reja. Dhe këtu përfundon “madhështia” e tyre e të qenit të rinj dhe “aset” për vendin.

E rrënjët e krejt këtij problemi janë tek kualiteti i sistemit arsimor dhe papunësia e lartë. Këto dy probleme nuk do të zgjidhen brenda një muaji apo vitit. Por ajo që mund të bëhet është që të fillohet dhe të punohet në këtë drejtim. E deri më tani nuk është bërë ende asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Të rinjtë do të jenë aset i këtij vendi vetëm atëherë kur ua sistemi shkollor i përgatit për treg të punës, e tregu i punës arrin të absorboj shkathtësitë e tyre.