Droga e konfiskuar nga Policia Rajonale e Pejës - Foto: Policia e Kosovës

Të rinjtë nxisin përdorimin e drogave përmes rrjeteve sociale (Foto)

Ekspozimi i substancave narkotike në rrjetet sociale është brengë e re për qytetarët e Kosovës.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se disa persona po shpërndajnë foto dhe video në rrjetin social Twitter duke ekspozuar drogë të llojit marihuanë.

Aty madje përmenden edhe se cilat lloje janë më të mira dhe se bëjnë sugjerime në mes vete për ta provuar.

“Provo Moon Rocks. Aurora është më e mira që e kam provuar deri tani. Edhe unë këtë e kam provuar”, janë disa prej fjalëve të shkëmbyera.

Në një hulumtim të bërë në këtë rrjet social, janë gjetur foto të kësaj substance, ku sipas burimeve të KALLXO.com në mesin e tyre ka edhe të mitur. Njëri prej tyre madje e ka quajtur këtë substancë edhe si “artë”.

 

Në lidhje me këtë,  KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe këtë raportim e kanë pranuar si informatë.

Tutje policia thotë se do ta trajtojnë këtë çështje në bazë të ligjeve në fuqi.

“Duke ju falënderuar për informatën dhe bashkëpunimin, informoheni se Policia e Kosovës, konkretisht DHTN-ja i shqyrton seriozisht të gjitha informatat si ato nga burimet e hapura edhe ato të cilat i pranojmë në mënyrat tjera. Ne kemi pranuar informatën dhe të njëjtën do ta trajtojmë dhe ndërmarrim veprime ashtu si është e paraparë me ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërsa, sipas hulumtime të kryera nga OJQ dhe ekspertë llogarisin se në Kosovë janë rreth 25 mijë persona që përdorin substanca narkotike. Të dhënat e këtyre hulumtimeve tregojnë se konsumimi i drogës është në rritje.

Drejtuesi i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labyrinth”, Safet Blakaj kishte thënë për KALLXO.com se mosha mesatare e personave që kërkojnë trajtim në këtë qendër është 16 vjeçare.

Kurse, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar për KALLXO.com vetëm gjatë dy muajve të këtij viti janë regjistruar 217 raste të substancave narkotike, ku janë konfiskuar rreth 377 kilogramë marihuanë, 115 gramë kokainë dhe 2.5 gramë kokainë.

Sa i përket vitit që e lamë pas janë regjistruar 1866 raste. Në këto raste janë konfiskuar rreth 976 kilogramë marihuanë, rreth 119 kilogramë dhe 11 gramë hashash.

https://kallxo.com/kosova-me-25-mije-perdorues-droge-te-varur-edhe-16-vjecar/

Emisioni i ‘Drejtësia në Kosovë’ muaj më parë shfaqi intervistën ekskluzive të një të riu i cili në moshën 14 vjeçare kishte filluar ta përdorë substancën narkotike marihuanë.

I riu i cili ka dashur të mbetet anonim ka rrëfyer momentet se si ka filluar ta përdorë këtë substancë naroktike.

Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte miratuar një strategji shtetërore për periudhën kohore 2018-2021 kundër narkotikëve por efektet e kësaj strategjie janë parë vetëm në rritjen e numri të të arrestuarve.

https://kallxo.com/rrefimi-i-ish-perdoruesit-te-droges-video/

.