
Richard Grenell
Ekspertët e huaj shprehin rezerva për emisarin amerikan për dialogun Kosovë- Serbi
Ekspertët amerikanë, njohës të çështjeve të Ballkanit, nuk e kanë pritur mirë emrimin e ambasadorit Richard Grenell për emisar të SHBA-ve për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të premten, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Në Kosovë, ky emrim u prit mirë me Presidentin Hashim Thaçi, i cili tha se do të bashkëpunojë me Grenellin për të siguruar arritjen përfundimtare të paqes në Ballkan.
Ky vendim, megjithatë, shihet si befasues, pasi administrata amerikane, në fund të gushtit, ka emëruar diplomatin Matthew Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin, i cili mendohej se, mes tjerash, do të merrej edhe me dialogun.
Analisti amerikan, Daniel Serwer, e ka quajtur “tragjik” këtë emërim në një artikull të botuar sot në blogun e tij.
“Disa gjëra janë të qarta. Grenell është person i favorizuar i (John) Bolton dhe avokues i të djathtës ekstreme që ka shkuar aq larg duke ofenduar nikoqirët gjermanë. Nëse doni një kauzë të përbashkët me Evropën në Ballkan, Grenell është amerikani i fundit që mund ta kishit zgjedhur për ta emëruar”, ka shkruar Serwer.

“Gjermanët e kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë shkëmbim territoresh në Balkan. Bolton ishte avokues i shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Logjika ishte imponuese për një nacionalist etnik: serbët duan të qeverisen nga serbët dhe shqiptarët nga shqiptarët. Gjithçka tjetër është shumë e vështirë. Të drejtat e barabarta janë kurthe të demokracisë liberale, brenda dhe jashtë”, ka thënë Daniel Serwer.
Ai ka shtuar se emërimi i fundit për Kosovën i shton telashet e administratës së Trump.
“Mund të mendoni se administrata e Trump ka mjaft telashe në vete me Lindjen e Mesme, Ukrainën, Korenë e Veriut, Kinën, Venezuelën dhe disa vende tjera, pa e ringjallur ‘zombi’ idenë e shkëmbimit të territoreve në Ballkan. Por ata duken të vendosur, me emërimin e Grenell, për ta shtuar edhe Ballkanin në listën e dështimeve të politikës së tyre të jashtme”, tha thënë Serëer.
Tanya Domi, ligjëruese në Universitetin amerikan të Columbias, këtë emërim e ka cilësuar si “joserioz”.
“Ai (Grenell) është një emërim politik. Nuk e kuptoj pse është bërë ky emërim pasi (Mattheë) Palmer ishte emëruar si emisar në rajon. Është edhe Philipp Reeker, një Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropë dhe Eurazi i cili është më i përshtatshëm për këto negociata”, ka shkruar Domi në profilin e saj në Facebook.
“Si mund ta bëni punën me orar të plotë të Ambasadorit në Gjermani dhe të jeni plotësisht i angazhuar për këtë situatë komplekse? Nuk mund ta bëni këtë. Të paktën jo në mënyrë efikase”, ka thënë Tanya Domi.
Edhe analisti britanik Tim Judah e ka pritur me befasi këtë emërim.
“Kjo është e çuditshme. Së pari SHBA emëroi si emisar në Ballkan shumë të respektuarin Matt Palmer i cili e njeh mirë rajonin dhe liderët e saj dhe tani dikush pa përvojë ose njohuri me Ballkanin, për aq sa dimë ne, emërohet për bisedimet Kosovë- Serbi. Shije e jokoherencës totale”, ka shkruar Judah në një postim në Twitter.
This is weird. First the US appoints the well respected Matt Palmer who knows the region and its leaders well as Balkan envoy and now someone else with no Balkan track record or knowledge as far as we know to Serbia-Kosovo talks. Smacks of complete incoherence. https://t.co/zCDRI2ahrk
— Tim Judah (@timjudah1) October 4, 2019
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian pritet ta emërojë një Emisar për dialogun Kosovë-Serbi pas 7 tetorit.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.
Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se Serbia fillimisht duhet ta njohë Kosovën.
Autoritetet në Serbi, në anën tjetër, janë pozicionuar për mosvazhdimin e dialogut derisa të hiqet taksa.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të përparojnë drejt integrimit evropian.