Emisari i BE-së Peter Sorensen në pikën e përbashkët me Serbinë. Foto: "X".

Emisari Sorensen viziton pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Kosovë- Serbi

Emisari i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë- Serbi, Peter Sorensen, në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë ka vizituar pikat e përbashkëta të kalimit kufitar të Kosovës me Serbinë.

“Është mbresëlënëse të shohësh dhe të informohesh për Pikat e Përbashkëta të Kalimit. Ndërsa është bërë shumë, ne duhet të rifillojmë punën e mbetur pa vonesë. Ka të bëjë me lejimin e njerëzve dhe mallrave që të lëvizin lirshëm – një gurthemel i integrimit në Bashkimin Europian”- kam shkruar ai në “X”, teksa në foto shihet së bashku me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Ai ka falënderuar KFOR-in për mbështetjen logjistike.

Në ditën e parë të vizitës në Kosovë si i dërguar i posaçëm i BE-së për Dialogun, ai takoi kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe krerët e partive opozitare.

Pas takimeve, Sorenseni u tregua fjalëpak. Nuk mbajti konferencë për media për të shpalosur se çka diskutuan, mirëpo përmes një deklarimi të shkurtër për media e quajti “një fillim të mirë”, duke treguar se bisedën e patën rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”- tha ai në një deklarim për media.

Megjithatë, Sorensen tha se për t’u thelluar më shumë do të shkojë edhe në Beograd, dhe më pas do të ulet dhe të vlerësoj “se ku jemi”.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”- tha ai.

Para së të emërohet Peter Sorensen, Emisar për dialogun Kosovë- Serbi ishte sllovaku Miroslav Lajçak. Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit – duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane. Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik. Megjithatë, Dialogu Kosovë-Serbi ka çaluar përgjatë viteve të fundit.

Më 18.03. 2025 shënohen dy vjet qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut Kryeministri kosovar dhe Presidenti serb ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër të tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 Nene, ndër të tjera, parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha Marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë Dialogut.