Edi Rama në Samitin e NATO-s në Madrid. Foto: Twitter

Edi Rama: Britania e Madhe duhet të ndalojë të na fajësojë për ‘dështimet e saja politike’

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka sulmuar qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar të mërkurën, duke thënë se Londra duhet të ndalojë së fajësuari shqiptarët për “dështimet e politikës” së saj, në një qortim të arsyetimit “të çmendur” nga Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman.

Në një seri postimesh në Twitter, Rama tha se “vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç bënë disa me plot turp kur luftuan për Brexit) si shkak i krimit në Britaninë e madhe dhe problemeve kufitare, bën retorikë të lehtë, por injoron fakte të vështira. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri.”

Braverman nxiti polemika të hënën kur ajo i tha parlamentit britanik se nëse Partia Laburiste opozitare “do të ishte në krye, ata do t’i lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend”. Ajo ka qenë gjithashtu nën presion për pretendimet se ka shkelur ligjin duke mbajtur mijëra emigrantë pa dokumente në kushte të papërshtatshme në një ish-bazë ushtarake në Anglinë juglindore.

Rreth 12,000 shtetas shqiptarë kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla këtë vit. Rritja e shpejtë e njerëzve që përpiqen të kalojnë Kanalin me varka të vogla ka shkaktuar një ndjenjë të re krize në Mbretërinë e Bashkuar me qeverinë që nuk siguron strehim urgjent dhe po përpiqet të paraqesë një sistem funksional azili dhe kthimi.

Mirëpo Rama argumentoi se shumica e shqiptarëve që shpërngulen në Mbretërinë e bashkuar kanë jetuar më parë në vendet evropiane si Italia dhe Greqia, duke shtuar se “shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa”. Ai i bëri thirrje Londrës që “t’i luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive” në vend që t’i diskriminojë shqiptarët “për t’i justifikuar dështimet e politikave”.

Udhëheqësi shqiptar argumentoi gjithashtu se “Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po e negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine”, duke shtuar se Britania e Madhe duhet të veprojë si Gjermania kur kishte shqetësime të ngjashme për migracionin, në vend që të përgjigjet “me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit”./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala