17 vjet më pas, ende nuk dihet kush i organizoi trazirat e dhunshme të marsit 2004

Janë bërë 17 vite nga trazirat e dhunshme të marsit 2004, të cilat ende nuk dihet kush i organizoi, askush nuk u gjykua apo  dënua për humbjet njerëzore dhe materiale.

Gjatë trazirave të 17 e 18 marsit 2004 u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, u lënduan mbi 900, dhe u shkatërruan objekte fetare e kulturore. 

Këto trazira shpërthyen dhe eskaluan në dhunë në gjithë Kosovën pas raportimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë duke ikur nga disa serbë.

Profesori universitar dhe njohësi i medias, Milazim Krasniqi, vlerëson që raportimi nga trazirat e marsit 2004 nuk ka qenë i duhuri as nga aspekti njerëzor e as ai gazetaresk dhe mund të ketë qenë indikator që ka nxitur dhunë te një masë e caktuar.

“E vërtetë është që nga perspektiva e sotme mendoj që janë bërë gabime të rënda në raportim sidomos nga RTK-ja por edhe nga KTV-ja dhe RTV21, dhe pastaj nga gazetat ditore. Me një fjalë ka pasur gabime evidente në raportim në aspektin gazetar dhe ka pasur elemente që kanë nxitur dhunë te një masë e caktuar”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Televizioni publik kishte transmetuar deklaratë të fëmijëve që kishin thënë se kanë mbijetuar nga ndjekja prej serbëve e disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë.

Ky rrëfim i njërit nga fëmijët kishte nxitur protestat fillimisht në Mitrovicë e që shumë shpejt u përhapën në pothuaj të gjitha qytetet e  Kosovës.

Sipas Krasniqit, edhe tash që ende nuk është vënë drejtësia në vend, ka shumë të paqarta në lidhje me deklaratat e fëmijëve të cilat u transmetuan në RTK, të cilat nuk janë verifikuar nga burime tjera.

Sipas Krasniqit, i cili atëkohë ishte anëtar i Bordit të Drejtorëve të Televizionit Publik, problemi përtej raportimit me këto gabime është që ka pasur kërkesa nga Këshilli i Pavarur i Mediave dhe UNMIK-u që të shkarkohet menaxhmenti i asaj kohe dhe që të rikthehet menaxhmenti ndërkombëtar. 

“Për këto arsye tek ne ka pasur shumë reagime për shkak se RTK-ja ka qenë i vetmi institucion i kosovarizuar dhe nuk kemi dashtë të kthehet menaxhmenti ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Krasniqi moszbardhjen e këtyre trazirave i ka cilësuar si një baraspeshë të dhunës për shkak se motivi për dhunë është krijuar tek serbët me plagosjen e të riut në Çagllavicë ndërsa tek shqiptarët me mbytjen e fëmijëve në lumin Ibër. 

Megjithatë, gazetari Zijadin Gashi, i cili kishte raportuar nga protestat e asaj kohe, rrëfeu për KALLXO.com, eksperiencën e tij gjatë raportimit nga trazirat e marsit dhe tmerrin që e kishte parë me sytë e tij.

Atë ditë Gashi kishte planifikuar të përcillte protestën e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila lidhej me deklaratën e fëmijës për ngjarjen që kishte ndodhur një natë më parë. Por, pas informacionit se kishin filluar protesta të rënda në Llapnasellë, ai ishte nisur për në vendin e ngjarjes.

“Isha i bllokuar mes Graçanicës, Llapnasellës dhe Çagllavicës dhe në ato lokalitete ku ishin të përqendruar serbët. Kishte turma njerzish që suleshin drejt shtëpivë të serbëve, dhe kishte të shtëna nga shtëpitë e serbëve në drejtim të turmave. Kurse KFOR-i kohë pas kohe përpiqej që me gaz lotsjellës të ndalonte turmat dhe flitej që po përdornin armë me plumba gome për të ndalë turmat”, rrëfeu Gashi.

Ai tha që krahas gjendjes e cila ngjante me luftën ata nuk ishin penguar nga autoritetet gjatë raportimit sepse gjithmonë kanë qëndruar në anën e turmës, por se kushtet për raportim ishin minimale.

“Gjithçka doli jashtë kontrollit dhe unë e mbaj mend që gjithçka që kam raportuar e kam raportuar i shtrirë sikur në gjendje lufte. Erdhi koha kur duhet të raportoja drejtpërdrejt në radio dhe më është dashtë të shtrihem në një lëndinë ku sot ka ndonjë qendër tregtare apo lagje. Ne duhet të shtriheshim se ishte rrezik për gazetarët për shkak se vijshin plumba nga shtëpitë e serbëve”, vazhdoi Gashi.

Sipas Gashit, ata arrinin të raportonin vetëm atë që shihnin më sytë e tyre ndërsa në mbrëmje ata informoheshin nga UNMIK-u dhe KFOR-i për viktimat.

“Gjithçka ka qenë shumë kaotike. Kam parë më sytë e mi njerëz që janë goditur me plumba gome ose të vërtetë. Ka qenë me të vërtetë një gjendje lufte”, tha gazetari.

Ai rrëfeu se gjatë asaj kohe, në ditën e  dytë ishin shtuar patrullimet e KFOR-it në rrugë, ishin kufizuar tubimet për shkak të rrezikut të shtuar,

Sipas tij, njerëzit donin të arrinin diçka me anë të protestës për shkak se kishin akumuluar pakënaqësi te shumica sidomos me gjendjen në veri të Mitrovicës dhe “ledhatimin”  që përfaqësuesit e UNMIK-ut i jepnin përfaqësueve të serbëve lokalë,  të cilët funksionin të pavarur nga juridiksioni i administratës së Kombeve të Bashkuara dhe instutucioneve fillestare të Kosovës.

Mbas 17 vitesh, Gashi moszbardhjen e këtyre trazirave, vrasjeve, plagosjeve e shkatërrimit të pronave dhe objekteve fetare, e sheh kaotike nga ana e institucioneve njësoj sikurse kaotizmi që kishtn shkaktuar trazirat e asaj kohe.

“Nuk mund të them se ka diçka pozitive prej vrasjeve, sulmeve, dëmeve në objekte por ishte alarmi që statusi i Kosovës duhej të zgjidhej, që fatkeqësisht të mbeteshin të vrarë 19 persona që komiteti  ndërkombëtar të ulet e të mendoj që Kosova të ketë statusin e saj dhe të lirohet nga administrimi  ndërkombëtar”, tha Gashi.

Zhvillimet e marsit 2004 kishin bërë që vendet ndërkombëtare të rikthejnë sytë kah Kosova. Atëkohë, Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën norvegjezit, Kai Eide, për hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë.

Eide pas shumë vizitave në Kosovë dhe Ballkan, takoi përfaqësues të të gjitha partive, komuniteteve, feve etj. Në tetor 2005 dorëzoi raportin e për të cilin ishte deleguar. Eide rekomandon se ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.

Disa ditë më vonë të njëjtin rekomandim për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e bën edhe Kofi Annan. Më 17 shkurt 2008, bazuar në këtë propozim, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. 

Megjithatë, Gashi krahas eksperiencave të tij që kishte raportuar edhe nga lufta në Kosovë,  këtë përvojë të raportimit nga trazirat e konsideron më të rëndë, më të rrezikshme dhe më të keqe se lufta.

“Në luftë ne që qëndronim në Prishtinë dëgjonim se diku ka ofenzivë në ndonjë fshat dhe kur kemi arritur në fshat luftimet kishin përfunduar dhe sfida ishte veç ecnim rrugës dhe të kthehshim në redaksi. Kurse në trazirat e marsit gjithhçka ishte kaotike e nuk dije se as prej kujt të mbroheshe e as prej kujt të ikje, e as a do të ktheheshe i gjallë”, tha ai.

E pasojat nga moszbardhja e këtyre rasteve si shkatërrimi i objekteve fetare, Kosova ende e vuan gjatë antarësimit në organizata ndëkombëtare.

Në vitin 2015, kur Kosova tentonte të anëtarësohej në UNESCO, Beogradi e kishte akuzuar Prishtinën se nuk ka mbrojtur trashëgiminë kulturore si duhet dhe ka bashkëpunuar në shkatërrimin e disa vendeve, përfshirë këtu edhe 29 kisha dhe manastire të shkatërruara në trazirat e marsit 2004, sipas një raporti të OSBE-së.

“Tash edhe mbas 17 vitesh Serbia e kujton atë ngjarje për të sulmuar Kosovën. Po të vihej drejtësia në vend gjërat do të qetësoheshin dhe do të krijohej një hapësirë për pajtim mes serbëve dhe kosovarëve”, tha Milazim Krasniqi.