Mimoza Kusari Kujton Përballjen e Bajram Rexhepit me Protestuesit në Mars 2004

Ish-kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, ka vdekur sot në një spital në Turqi, në moshën 63-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Gjatë karrierës së tij politike, Bajrami Rexhepi ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komunën e Mitrovicës.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, që gjatë kohës sa Bajram Rexhepi kishte qenë kryeministër, ishte zëdhënëse e Qeverisë, ka kujtuar bashkëpunimin me të duke thënë se ka qenë përvoja e saj e para institucionale.

“Puna me të, ka qenë ballafaqimi im i parë me jetën institucionale dhe publike dhe mendoj që ka pasur një rol të madh në faktin e asaj që në vazhdimësi iu ka ndihmuar të rinjve që të promovohen. Nuk kam qenë veç unë, ka qenë edhe Ilir Deda, Ilir Dugolli dhe të gjithë nga përvoja jonë vetëm kemi ndarë fjalët më të mira për të. Ai na ka ndihmuar me u rritë në këtë sferë. Mendoj që ka qenë një mentor dhe një udhëheqës tamam çfarë i duhet të rinjve që synojnë jetën institucionale dhe politike”, ka thënë Kusari Lila për KALLXO.com

Ajo thotë se si zëdhënëse e Kryeministrit asokohe, ka qenë përvoja më e mirë e saj në ballafaqimin me jetën institucionale të Kosovës së pasluftës.

“Kemi pasur rastin ne të rinjtë në kabinet që të punojmë me një njeri i cili asnjëherë nuk është kornizuar me vijat partiake ose politike të vetëm një partie, por ka qeverisur në interes të Kosovës”, tha tutje Kusari Lila për KALLXO.com

Duke e kujtuar kohën e bashkëpunimit me ish kryeministrin Rexhepi, Kusari Lila thotë se periudha kur ai ka qenë shef qeveria nuk ka qenë e lehtë.

“Unë kam vetëm fjalë të mira për z. Rexhepi, për përkushtimin, dedikimin dhe atdhedashurinë që e ka pasur në vazhdimësi. Nuk ka qenë kryeministër në një periudhë të lehtë, ka qenë kryeministër në një periudhë shumë sfiduese për Kosovën edhe në atë sfidë që është ballafaquar besoj se ia ka dal me sukses”, shtoi ajo.

Sipas saj, e njëjta e ka ndjekur Rexhepin edhe gjatë kohës sa kanë qenë kolegë ministra, kur Rexhepi ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe Kusari Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Gjatë kohës së bashkëpunimit me Bajram Rexhepin, Kusari Lila i kujton trazirat e vitit 2004, ku thotë se aty është treguar guximi dhe gjakftohtësia e tij.

“Ballafaqimi me trazirat e 2004 besoj se ka treguar shumë për guximin dhe gjakftohtësinë e tij me një situatë aq të rëndë. Besoj se menaxhimi i tij i mirëfilltë ka evituar edhe situata më të këqija se çka ka mundur me i ndodhë Kosovës. E mbaj mend, që edhe vet, në këmbë, pa ndonjë përcjellje të veçantë ka hyrë në mesin e protestuesve dhe ka shkuar deri në Veternik atëherë, bashkë me ish-ministrin Ethem Çeku, ish ministrin Jakup Krasniqi dhe është ballafaquar drejtpërdrejtë me turmat e njerëzve që kanë qenë të acaruar, që ti qetësojë dhe ta vejë situatën nën kontrolle”, tha Kusari Lila për KALLXO.com

Sipas Kusari Lilës, institucionet shtetërore nuk kanë bërë mjaftueshme së fundi për Rexhepin.

“Pa asnjë dyshim mendoj që institucionet e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm për z. Rexhepi në fund të karrierës së tij. Ai në fund ishte duke shërbyer si mjek në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ish-kryeministër, ish-ministër, ish-kryetar i Mitrovicës, mendoj që të gjitha atributet dhe kritikat e punës e kërkojnë që të ketë një përcjellje shtetërore dhe institucionale.

Bajram Rexhepi ka vdekur sot në moshën 63 vjeçar.

Bajram Rexhepi ka qenë kryeministër i Kosovës ndërmjet viteve 2002-2004.

Pastaj, ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Mitrovicës.

Gjatë karrierës së tij politike, Rexhepi ishte edhe ministër i Shëndetësisë si dhe i Punëve të Brendshme.

Pas zgjedhjeve të vitit 2014, Rexhepi ishte tërhequr nga jeta politike dhe i ishte përkushtuar profesionit të mjekut.