Dokument: Komuna e Drenasit kërkoi të blejë 'Plazma' e 'Eurokrem' serb

Javë më parë KALLXO.com raportoi se Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte shpallur një tender 23.5 milionë eurosh për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimorë.

E në mesin e artikujve ishin paraparë edhe produkte serbe, ndaj të cilave Qeveria e Kosovës kishte vënë taksë 100%.

KALLXO.com ka siguruar kërkesat që autoritetet kontraktuese kishin bërë në AQP për furnizim.

Njëra nga to është edhe Komuna e Drenasit, e cila kishte kërkuar të blinte produkte serbe.

Në kërkesën e saj, Komuna kishte kërkuar të blejë 510 copë keksa “Plazma” apo ekuivalentë nga 150 gramë, 510 kilogramë “Euro Crem” ose ekuivalentë, dhe 500 copa smoka të kompanisë serbe “Smoki”.

Përveç këtyre produkteve serbe, kjo Komunë kishte kërkuar edhe produkte të mishit.

Drenasi kishte kërkuar mish gjedhi me sasi 1.860 kilogramë.  E po ashtu edhe kaçik të pulës me sasi 1.290 kilogramë dhe 270 kilogramë mish të bardhë.

Komuna e drejtuar nga  Ramiz Lladrovcit po ashtu kishte porositur edhe rreth 1200 copa pashteta pule “Argeta”.

Kjo Komunë nuk e ka lënë anash as qumështin duke porositur 4.650 litra.

Drenasi po ashtu ka kërkuar edhe 9.000 copa jogurt pemësh, 490 copë kikirikë e 1.200 pako krem-banane.

Po ashtu, në të dhënat e siguruara nga Jeta në Kosovë është parë se kjo Komunë ka kërkuar edhe 1.650 kilogramë makarona “Divella” ose ekuivalente, 1.650 kilogramë patate të reja e 1.080 lakra për gjellë.

Komuna e Drenasit po ashtu ka kërkuar edhe 1.200 lëngje të ndryshme për të pirë dhe rreth 10 mijë copa ujë të thjeshtë.

Komuna e drejtuar nga Lladrovci po ashtu përmes AQP-së kishte kërkuar edhe bukë dhe kifle për furnizim.

Rreth 16 mijë bukë e 4.650 copë kifle “Croasant” ishin kërkuar në këtë tender.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Drenasit për të marrë sqarime në lidhje më këto kërkesa por ende nuk ka marrë përgjigje.

 

 

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me tenderin e Agjencisë Qendrore e Prokurimit.

https://kallxo.com/tenderi-skadaloz-i-aqp-s-mijera-pije-energjike-planifikohen-te-blihen-me-pare-te-shtetit/

Kjo Agjenci, që bën prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar. Vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Kjo Agjenci duke u thirrur në kushte të jashtëzakonshme për t’i përshkruar produktet që synon t’i blejë i ka referuar me artikull specifik të prodhuesve serbë.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta”.

Disa prej produkteve të referuara janë të prodhuara në Serbi, ndaj të cilave Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100%.

Pika 7 e nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik e ndalon që autoritetet kontraktuese në specifikimet teknike t’i referohen një artikulli ose burimi të veçantë.

“Autoriteti kontraktues nuk do të përpilojë specifikimet teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë, ose një procesi të hollësishëm, ose ndonjë shenje dalluese, lloji ose origjine të veçantë ose ndonjë prodhimi”, thuhet në pikën 7 të nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

E njëjta pikë e këtij neni lë hapësirë për institucionet që t’i referohen edhe me artikuj të veçantë, por “ne kushte të jashtëzakonshme”.

“Pavarësisht nga e mësipërmja, autoriteti kontraktues mundet, që në kushte të jashtëzakonshme, të hartojë specifikime teknike ose të bëjë një referim të tillë të veçantë, nëse autoriteti kontraktues në mënyrë të qartë vërteton se, nuk është e mundur që të përpilojë një specifikim mjaft të saktë dhe të kuptueshëm të lëndës së kontratës përkatëse, në pajtim me paragrafin 3-6. të këtij neni ose ndryshe; me kusht që, çfarëdo referimi i tillë të shoqërohet me fjalët “ose ekuivalent”, thuhet në pjesën e dytë të kësaj pike të nenit 28.

KALLXO.com po ashtu do të ju informojë gjatë ditëve në vijim për komunat dhe institucionet e tjera që kanë kërkuar nga AQP furnizim me mallra.