Marshi për bojkotim të produkteve serbe. FOTO: KALLXO.com
Studentët protestuan për bojkotimin e produkteve serbe
Dhjetëra studentë të Fakultetit të Edukimit u mblodhën sot pranë objektit të këtij fakulteti dh përmes një marshi paqësor apeluan për bojkotimin e produkteve serbe.
Këto thirrje ata i përçonin edhe përmes pankartave të ndryshme.
Yllëza Murtezi, studente e Fakultetit të Edukimit tha se qëllimi i këtij marshi është vetëdijesimi i popullit për bojkotimin e produkteve serbe duke pasur parasysh atë që ka kaluar Kosova.
“Qëllimi ynë është që të ngrisim vetëdijen e popullit tonë që të bojkotojmë produktet e Serbisë që vrau e masakroi 1432 fëmijë shqiptarë. Blerja e produkteve serbe çon në fuqizimin e një shteti që përpos që kërcënon me luftë po mundohet që edhe simbolet te trashëgimitë tona të na i marrë e t’i përvetësojë për vete” – tha ajo.
Një thirrje të ngjashme pati edhe studentja Laurita Terpeza e cila tha se : “Ne deri tani kemi ushqyer armikun tonë me duart tona. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve anembanë botës që të bojkotojnë produktet serbe”.
Këtij marshi kishte vendosur t’i bashkëngjitej edhe Sylejman Neziri, pronar i qendrën tregtare “Plus Center” që nuk mban produkte serbe.
“Vetëm popullata nëse bën bojkot atëherë ne do të ecim përpara shumë”- u shpreh Neziri.
Ky marsh vazhdoi edhe përgjatë sheshit ku më pas protestuesit u ndalën edhe para Teatrit Kombëtar.
“Mundin e djersës tënde lëre në Kosovë, ndihmoje Kosovën të bëhet ashtu siç i ka hije. Lufto në mënyrën tënde! Bojkoto produktet serbe, mos ua financo ushtrinë!”- apeloi studentja Alketa Rrahimi.
Përpos studentëve, pjesë e këtij marshi ishte edhe profesori universitar Nusret Pllana i cili tha se është solidarizuar me këtë aktivitet të organizuar nga këta studentë.
“Jam solidarizuar me kërkesën e këtyre studenteve dhe do të solidarizohem çdo herë kur të shoh që kërkesat e tyre janë thellësisht paqësore dhe të drejta. Ky manifestim e ka një porosi tyre vetme, mos harresa e kujtesës historike” – përfundoi Pllana.