Mbikëqyrja e punimeve nga qytetarët si instrument për ruajtje të cilësisë
Komuna e Pejës kishte filluar ndërtimin e objektit të ri të shkollës së mesme të Artit, “Odhise Paskali”, që do t’i kushtonte komunës rreth gjysmë milioni euro.
Ndërtimi i objektit të ri vinte pas një sër protestash kundër rrënimit të objektit 100 vjeçar të shkollës së vjetër të artit në këtë qytet.
Objekti i ri që pritej të ndërtohej do të kishte vëmendje shumë më të madhe të qytetarëve.
Me iniciativën e Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ishte formuar një grup jo-formal i qytetarëve për mbikëqyrjen e punimeve në objektin e ri të shkollës.
Avdyl Berisha, kryetar i këshillit të prindërve, ishte pjesë e këtij grupi.
Ai në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se grupi ka qenë mjaft aktive duke mbajtur takime të rregullta, për tu siguruar që punët që bëhen të jenë sa më kualitative.
“Mbledhja kryesisht është biseduar rreth mbarëvajtjes së punëve deri ku kanë mbërri punët, si kanë shkuar, a ka pasur ndonjë qalim ose ndonjë ndryshim prej projektit.”, tha ai.
Berisha ka thënë se sugjerimet e qytetarëve janë marrë parasysh nga komuna e punë kryesi.
“Kam pasur rastin, tek rrethojat brenda, kanë qenë të dobëta edhe nuk kanë qenë në nivel, por më vonë është intervenuar dhe janë ndërruar, kanë punuar ashtu siç duhet.”, shtoi ai.
Ai e sheh shumë të nevojshme që ekspertët të konsultohen para realizimit të projekteve, siç është ndërtimi i shkollës.
“Ka ekspertë të ndryshëm që mund të japin vërejtje para se të filloj projekti, sepse disa projekte janë shumë specifike, sidomos për shkollë të artit është shumë specifik sesi godina vendoset edhe atlete janë karakteristike të cilat prej mëngjesit nuk duhet të kenë diell, drita duhet me qenë konstante për shkak të punimeve dhe pikturës që është primare te kjo shkollë”, tha tutje ai.
Avdyl Berisha e vlerëson si shumë të suksesshëm auditimin social, pasi që sipas tij kanë qenë vazhdimisht në mbikëqyrje të punëve që janë bërë.
“Ka pasur sukses sepse kemi pasur një bashkëpunim dhe kemi qenë në ngjarje gjatë gjithë kohës deri në fazën e fundit që ka ardhur tash”, shtoi ai.
“Ish dashtë secila komunë me angazhu prindërit apo qytetarët të cilët janë të përgatitur, që mund të japin edhe vërejtje dhe e njohin materien. Që munden me u kyç në projekt edhe me analizu projektin edhe me pa që a ka nevojë me sugjeru diçka”, tha Berisha.
Mbikëqyrjes e punimeve gjatë ndërtimit të shkollës e ka vlerësuar lartë edhe Bujar Kelmendi, drejtor i shkollës Odhise Paskali.
“Interesant është që bashkëpunimi me organizatat të ndryshme, me prindër ka shkruar shumë mirë, janë mbajtur disa takime gjatë etapave të ndërtimit të shkollës, deri diku edhe kemi qenë shumë të kënaqur me punën që është bërë deri tani”, tha Kelmendi.
“Mua më duket e domosdoshme, se edhe si prindër të fëmijëve, apo qytetarët të profileve të ndryshme mund të japin sugjerimin që sa më mirë të ndërtohet shkolla”, shtoi ai.
Sipas tij, një mundësi e mbikëqyrjes së drejtë për drejtë të punëve nga ana e qytetarëve duhet të jetë nëpër të gjitha komunat.
“Njerëz të profileve të ndryshme të japin vërejtjet apo sugjerimet gjatë procesit të ndërtimit që të ndërtohet sa më mirë dhe sa më funksional”, tha tutje ai.
Kelmendi ka treguar se gjatë mbledhjeve kanë kërkuar vizita më të shpeshta të mbikëqyrje të punëve, dhe kjo kërkesë është marrë parasysh.
“Mbikëqyrësit e shkollës me qenë këtu ma shpesh, të deleguar prej Kuvendit Komunal me qenë këtu, dhe kanë ardhur, dhe sugjerimet tona i ka pranuar kuvendi komunal, dhe ata mbikëqyrës të cilët e kanë pasur për detyrë kanë qenë çdo të dytën ditë gjatë punimeve në këtë shkollë.”, tha ai.
Mbikëqyrja e punimeve në ndërtim të objektit të ri të shkollës Odhise Paskali është bërë me koordinimin e organizatës “Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS)” që është përkrahur nga projekti USAID Team .
Ema Pula, koordinatore e projektit, thotë se auditimi social ka filluar në vitin 2018 në komunat e Gjilanit, Gjakovës dhe Pejës.
“Auditimi social, si koncept vë në thelb qytetarin, me propozimin e USAID team në vitin 2018 GLPS ka filluar me implementimin e këtij projekti, para se me kalu te fazat po du me theksu që për realizimin sa më të mirë duhet të jenë të përfshirë qytetarët, duhet të kenë bashkëpunim nga komuna, por gjithashtu duhet të jetë përfshirja e organizatave të shoqërisë civile”, tha ajo.
Në një intervistë për KALLXO.com ajo ka treguar edhe për bashkëpunimin me institucionet të cilat kanë qenë të përfshira në projekte.
“Në këto takime ftohen gjithmonë edhe zyrtarët komunal, qoftë menaxheri i kontratës apo të drejtorive përkatëse por gjithashtu edhe operatorët ekonomik, në këtë rast kompanitë e kontraktuara”, shtoi ajo
Ajo e vlerëson si shumë të suksesshëm projektin e Auditimit Social, duke theksuar se interesimi i qytetarëve të grupmoshave të ndryshme është i madh.
“Gjatë tri viteve që ne e implementojm këtë projekt pavarësisht që qytetarët janë në baza vullnetare, pra nuk ka as kompensim financiar, fatmirësisht ky projekt është pritur shumë mirë dhe kemi pasur shumë pjesëmarrës, pra interesimi nga ana e qytetarëve ka qenë shumë i madh dhe në të gjitha komunat që kemi operuar deri tani asnjëherë nuk ka munguar aktivizmi qytetarë”, tha Pula.
Fatime Boshnjaku, qytetare nga Gjakova ka treguar për përvojën e saj në auditimin social për projektin e rregullimit të shtratit në lumin Krena, projekt i cili komunës së Gjakovës i ka kushtuar mbi 600 mijë euro.
“Ne faktikisht kemi qenë të kyçur direkt në projekt, për arsye se projekti ka qenë komunal, që e kanë fituar tenderin e bashkësisë evropiane, mirëpo projektuesit e këtij projekti kanë qenë nga Prishtina, e ceka edhe më parë, që nuk kanë qenë të kënaqur për arsye se realizimi i projektit nuk është bërë sipas projektit të tyre. Mirëpo reagime ka pas, por nuk është marrë parasysh coftë të projektuesve, coftë që kemi reagu edhe ne si shoqëri civile”, tha Boshnjaku.
Sipas Boshnjakut, bashkëpunimi i shoqërisë civile me qytetarët është i domosdoshëm që projektet që bëhen në komuna të jenë të suksesshme.
Ajo ka bërë thirrje që qytetarët të më aktiv dhe të zëshëm për projektet që komuna e i bënë.
“Popullata jo vetëm në komunën e Gjakovës, por pothuajse në të gjitha komunat nuk janë aktive aq sa duhet me qenë kur e shohin se një projekt për arsye se nganjëherë ndodhë që aj projekt edhe nuk tregohet, nuk dimë se çka ka me u bo, mirëpo kur i shohim duke i ekzekutu punimet e shohim që nuk është në rregull”, shtoi ajo
Sipas Ema Pulës, rekomandimet e dala nga auditimi social, komunat i kanë pritur shumë mirë dhe në bazë të mundësive kanë bërë zbatimin e tyre.
“Në përgjithësi në shumicën e komunave, po flas për vitet e kaluara pasi që ky projekt është ende duke u zhvilluar, komunat i kanë pritur shumë mirë rekomandimet dhe në ato mundësi që i kanë pasur kanë fillu edhe me i zbatu, do raste i kemi pasur në disa shkolla, por gjithashtu edhe në shtëpi të qëndrimit ditor për pleq ku të gjitha rekomandimet tona janë adresuar nga komuna”, tha Pula.
Tashmë disa komuna kanë filluar të ndajnë mjete për qytetarët që pranojnë të mbikëqyrin projektet që realizohen nga komunat.
Sipas Ema Pulës auditimi social në komunat në të cilat është aplikuar ka sjellë rezultatet të prekshme, prandaj edhe është mirë që të shtrihet në të gjitha komunat e vendit.
“Patjetër që duhet me u shtri në të gjitha komunat e Kosovës, për faktin që duhet me u arrit kjo qëndrueshmëri e projektit, sigurohet pjesëmarrja qytetare por në të njëjtën kohë, duhet me u dëshmu që kto mjete duhet me u pranu për shkak që shërbimet e ofruara dhe projektet përmirësohen vazhdimisht, rritet llogaridhënia dhe transparenca, por në të njëjtën kohë kuptohet nga institucionet që me përfshirjen dhe konsultimin direk të qytetarit munden me u arrit rezultate shumë të mira, e këtë gjë me së miri e ka dëshmuar auditimi social.”, theksoi ajo.
Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shumë shkelje të bëra gjatë realizimit të projekteve kapitale nëpër komuna, kryesisht për shkak të shkeljeve të bëra gjatë realizimit të projekteve.
Mbikëqyrja e punimeve nga qytetarët do të mund të ulte numrin e shkeljeve si dhe do të garantonte që projektet të realizohen ashtu siç kontraktohen.