
Komuna e Klinës përdori kritere të dyfishta për subvencionimin e fermerëve
Fermerët nga Klina, gjatë vitit 2023 përfituan makina mbjellëse për misër dhe grurë.
Për këto dy thirrje publike për subvencionim, Komuna e Klinës kishte ndarë 24 mijë e 175 euro.
Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit gjeti se gjatë vlerësimit të aplikimeve, komisioni i vlerësimit në formularin e poentimit përdori kritere të cilat nuk qenë të përfshira në asnjërën thirrje.
Kriteret të cilat u përdorën janë: numri i anëtarëve të familjes, statusi i punësimit, gjendja ekonomike, ndarja në zonë rurale dhe urbane, posedimi i bunarit.
Në thirrjet e publikuara nga Komuna, sipas ZKA-së kërkohej “që përfituesi të jetë banor i komunës, të posedojë sipërfaqe të tokës, të këtë traktor, të jetë i gatshëm që të marrë pjesë me 30 % të kostos në mekanizëm bujqësor, përparësi do të kenë fermerët të cilët në tri vitet e fundit nuk kanë përfituar ndonjë projekt nga komuna dhe donatorët në bashkëpunim me komunën, të mos jetë përfitues më shumë se një projekt brenda vitit dhe nuk mund të jetë përfitues më shumë se një anëtarë i bashkësisë familjare”.
Kjo sipas ZKA-së ka ndodhur për shkak se komisioni i vlerësimit nuk respektoi kriteret e shpalljes publike.
“Subvencionimi i fermerëve duke përdorur kritere të cila nuk kanë qenë të shpallura në thirrje mund ta dëmton transparencën pasi që janë përdorur kritere që nuk kanë qenë të shpallura në Thirrjet Publike, për të cilat aplikuesit nuk kanë qenë të njoftuar” – thuhet mes tjerash në raportin e ZKA-së.
ZKA ka rekomanduar kryetarin e Klinës, Zenun Elezajn që të sigurohet që komisioni i vlerësimit të kryej vlerësimin në pajtim me kriteret në thirrjen publike.
Komuna e Klinës u pajtua me këtë gjetje të ZKA-së.
Kjo komunë ka pranuar Opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky opinion formulohet kur nuk janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri; kur janë zbuluar keq deklarime ose mospajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, por që nuk është i barabartë me ose nuk e tejkalon nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keqdeklarimi(et) dhe/ose mospajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh nuk është e barabartë me ose e tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse nuk ka kufizim të fushëveprimit ose kur kufizimi i fushëveprimit nuk mund të shpie në shmangie të keqdeklarimit(eve) material(e) dhe/ose mospajtueshmërisë(ve).
Kufizimi i fushëveprimit ndodh kur një auditor nuk është në gjendje të marrë dëshmi të mjaftueshme auditimi për të arritur në përfundimin se pasqyrat financiare në tërësi nuk përmbajnë keq-deklarime materiale.
Auditori duhet të japë opinion të pamodifikuar nëse arrin në përfundimin se pasqyrat financiare janë përgatitur, në të gjitha aspektet materiale, në pajtim me kornizën e zbatueshme financiare.
Komuna e Klinës, në raportin e auditimit për vitin 2022 pranoi 12 rekomandime nga ZKA.
Nga to, pesë janë zbatuar, një është i mbyllur, një është në zbatim dhe pesë nuk janë zbatuar.
Raportin e plotë të ZKA-së për Komunën e Klinës mund ta qasni në këtë VEGËZ.