“Kafen Shohim N'mikroskop”
Vëllimi “Lahutari Shqiptar” me këngë që u krijuan nga poetët anonimë popullorë gjatë kohës së diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, i autorit Lek Pervizi, botuar më 2010, lexohet me një frymë dhe tregon një anë tjetër të Shqipërisë komuniste – disponimin kundër të një pjese të popullatës.
Lek Pervizi është 82 vjeç dhe “Lahutari Shqiptar” është libri i parë me poezi që ka botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtëpinë botuese Lulu Enterprise, Inc. Aktualisht poeti Pervizi jeton në Bruksel, Belgjikë, ku ai është drejtuesi dhe redaktori i revistës Euro-Shqiptare, Kuq e Zi.
Përmbledhja e këngëve përfshin periudhën që nga pushtimi italian i 7 prillit 1939 deri në vitin 1992, përfshirë vitet e Luftës së Dytë Botërore, periudhë që njihet si ndër më të përgjakurat në historinë e Shqipërisë duke pasur parasysh kampet e internimit në çdo skaj të vendit ku shqiptarët e deklasuar dhe të persekutuar janë detyruar të bëjnë punë fizike dhe janë përballur me tortura nga më të egrat. Të internuarve/bashkëvuajtësve të Lek Pervizit u është dashur të punojnë në miniera me stomakun bosh, shpesh herë edhe të shtyrë me shkop nga gardianët e burgut.
Sipas disa historianëve, sundimi i regjimit komunist në Shqipëri ka qenë njëri ndër më të rreptit në kontinent. Por, kalvari i vuajtjeve të rreth 20 mijë ish-të përndjekurish politikë është tani i gjallë edhe pse shumë nga ata që ndanë fatin e Pervizit nuk ndodhen më mes nesh.
Është një kujtim që shqiptarët duhet ta kishin.
Autorët më të mëdhenj të eposit shqiptar mbeten zakonisht poetët anonimë. Në rastin e këtij vëllimi, ata kanë shprehur me finesë, ironi, sarkazëm dhe mallkim indinjatën e tyre për regjimin komunist.
Leka, sa herë që takohej me të dënuarit tjerë, shkruante në letër vargjet që ia thoshin shokët e që konsideroheshin “armiq të pushtetit popullor”.
“…Na s’kem qumësht as për fëmijtë,
As nji gotë e pikë për mallë,
Na ka zanë i madhi hall
Kafen shohim n’mikroskop
Buka e misrit me i ra n’top!…”
Foto: http://www.hist.tirana.cchnet.it
Duhet të jetë ky këndshikim që i mbante ata në burg. Në anën tjetër, tregon Pervizi, “shteti komunist planifikonte dhe servirte një folklor të zyrtarizuem e konformist që t’i shërbente regjimit, për të tregue se sa i lidhun ishte ky lloj pushteti me Popullin…”.
Por, sipas Pervizit, regjimi “harronte se ky popull, ndonëse i gjunjëzuem, i torturuem dhe i gjymtuem, ruente thellë në shpirtin e tij të pamposhtun, flakën e pashueme të qëndresës, që shpërthente përmes vargjeve të rrembyeshme epike, lirike apo satirike të rapsodëve e lahutarve të maleve ose përmes elegjive të grave vajtore, që thurëshin e këndohëshin brenda mureve të ngurta të kullave kala. Kështu ai i bani ballë stuhive shekullore dhe patjetër do të mund të përballonte edhe ato të disa vjetëve të diktaturës, shumë ma të furishme.”
Forca e këtyre elegjive bën të mundur që Lek Pervizi të mbledhë energjitë dhe të hedh në një vëllim këngët e vuajtësve të tjerë bashkë me disa nga elegjitë e tij. Si biri i një gjenerali, Gjen. Prenk Pervizit, autori Pervizi, del i suksesshëm në luftën e tij të rikujtimit të historisë.
“Mallkue kjofshi krimmela
Që sajuet kampet me tela,
Mallkue kjofsh parti kulsheder,
Gjakatare dhe fort e egër!
Po kjajnë nanat ditë e natë
Për fëmijte e tyne t’ngratë,
Po kjajnë fëmijt po derdhin lot,
Nana e baba vdesin kot.
Enver Hoxha ka urdhnue,
Skifterr kjoftë e kjoftë mallkue!”
Kjo përmbledhje është një nga të vetmet materiale që tregonin disponimin e të internuarve dhe që tregon se vullneti i qytetarëve nuk ishte absolutisht pro-regjimit, siç paraqitej në atë kohë.
“Mjer Shqipnia mjer Shqiptarët,
N’fuqi erdhën sllav-barbarët,
Komunistë e Shqipnisë,
Lidh pas qerrës së Rusisë,
N’krye të shtetit e t’qeverisë:
S’po lajnë krime për pa krye,
Burrat n’burgje tuj mbërthye,
Shumë tuj vra, tuj pushkatue,
Tuj djeg shpija, tuj rrenue,
Gra e fëmi tuj internue ….
– – –
“Në Kurbin malet gjïmojnë
Pyjet, grykat fort ushtojnë,
Shumë do trima po luftojnë;
Luftëtarë janë të lirisë
Bij të rreptë të Shqiptarisë.”
Vëllimi tregon se jo vetëm që mënyra e qeverisjes së Enver Hoxhës kundërshtohej nga shumë shqiptarë, por edhe se ata e shihnin politikën e tij si të huaj. Dhe askush nuk tregon histori më bindshëm sesa folklori.