Foto: Atdhe Mulla

Partnerët e Koalicionit Kanë Shpresa të Ndryshme për Votat e Demarkacionit

Edhe pse demarkacioni ka hyrë në rend dite tash e disa javë, kjo marrëveshje ende nuk ka dalë në votim, e seanca për të u shty tri herë radhazi, ndërsa vazhdimi nuk u caktua.

Sipas Jetlir Zyberajt, shefit të kabinetit Të Behgjet Pacollit mbrëmë në shtëpinë e zëvendëskryeministrit të parë kanë qenë mysafirë kolegu i tij nga komuniteti serb, Dalibor Jevtiq, kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, por edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe dy zëvendëskryeministrat tjerë Fatmir Limaj e Enver Hoxhaj.

“Thjesh, kemi biseduar  qysh me i çu proceset përpara”, tha ai.

I pyetur se çfarë është folur për demarkacionin, Zyberaj tha se “Jemi në bisedime që me përmbyllë gjithçka shpejt”, por nuk ka dhënë detaje për qëndrimin e përfaqësuesve serbë, përmes të cilëve po tentohet të binden deputetët e Listës Serbe.

Në anën tjetër, dje gjatë ditës kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se Vetëvendosje është duke reflektuar, ndërsa i pyetur për cilin krah e ka fjalën, ka deklaruar se njeh vetëm një VV në Kuvend.

“Na duhen edhe disa vota, edhe një reflektim i vogël i VV-së dhe do të shkojmë drejt në seancë”, deklaroi Veseli dje pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se pret shpejt konsensus për votimin e marrëveshjes.

“Shumë shpejt presim reflektim edhe të kolegëve opozitarë, besojmë se do të arrijmë konsensusin, është në të mirën e shtetit dhe së shpejti do të kemi një vendimarrje e cila me të drejtë i ka zhgënjyer qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ai.

Por, derisa bisedimet po zhvillohen në prapaskenë, për demarkacionin nuk është folur dje në kryesi.

“Për demarkacionin nuk u fol, ngase është tashmë sekret publik që mungojnë 2-3 vota pa u siguruar këto vota nuk thirret seanca”, tha po dje Bilall Sherifi i Nismës.

Ndërsa përfaqësues të Listës Serbe nuk kanë marrë pjesë as dje në mbledhjen e Kryesisë.

Ata nuk po marrin pjesë në këto mbledhje që nga koha kur Kuvendi po tenton të mbajë mbledhje për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Kujtojmë që seanca e 28 shkurtit ku pritej të votohej demarkacioni u shty dhe nga ajo ditë nuk dihet vazhdimi i saj.

Në ditën e fundit të shkurtit, Presidenti, Kryeministri e Kryeparlamentari kishin mbledhur përfaqësuesit serbë në zyrën e Haradinajt, po takimi përfundoi pa rezultat , ndërsa qëndrimi zyrtar i deputetëve serbë dhe atyre të Vetëvendosjes është që nuk do ta votojnë Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi.