Inspektimi i stadiumit të Prishtinës. Foto: Kallxo.com

Ministria vendos për vendin e ndeshjes vendimtare Prishtina- Drita

Ministria e Sportit përfundimisht ka dhënë opinionin e vet, karshi kërkesës së F.C Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës që ndeshja e fundit e ValaSuperligës së Kosovës në futboll ndërmjet FC Prishtina dhe KF Drita të luhet në stadiumin e kryeqytetit i cili ende nuk ka përfunduar në tërësi.

Sipas një komunikate për media, pas takimit që zyrtarët e ministrisë kanë pasur me FFK-në, F.C Prishtinën dhe punëkryesit ata kanë ardhur në përfundim që nëse lejohet zhvillimi i ndeshjes në Prishtinë, pa u pranuar teknikisht atëherë dëmtohet në tërësi projekti dhe investimi.

Sipas MKRS-së, realizimi i projektit është paraparë të përfundojë me 30 qershor, ndërsa lejimi i zhvillimit të një ndeshje para kësaj data cilësohet si shkelje e kontratës.

“Para kësaj date, lejimi i zhvillimit të çfarëdo ndeshjeje shkel kushtet e kontratës dhe përbën shkelje edhe ligjore dhe dëmton procesin në përgjithësi. Prandaj, si MKRS nuk jemi të interesuar as që të dëmtojmë investimin që kemi bërë në stadiumin e Prishtinës dhe as nuk duam të marrim ndonjë dënim eventual edhe nga UEFA”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS njofton se projekti është duke u plotësuar vazhdimisht nga projektuesit nën udhëzimet dhe mbikëqyrjen e inspektorëve të UEFA-së.

“E sigurojmë publikun se MKRS-ja është e përkushtuar ta përfundojë këtë investim sipas standardeve të UEFA-s dhe në afatin sa më të shpejtë të mundur, me qëllim që të përmbushen standardet e kërkuara që Kombëtarja e Kosovës dhe klubet e futbollit të Kosovës të zhvillojnë garat ndërkombëtare në këtë stadium”, thuhet në fund të komunikatës.

Ndeshja F.C Prishtina nga Prishtina dhe K.F Drita nga Gjilani do të zhvillohet më 19 maj në ora 16:00

Kjo ndeshja e përcakton edhe fituesit e titullit të sivjetmë të Vala SuperLigës së Kosovës.

Drita e kryeson tabelën me 3 pikë epërsi ndaj Prishtinës. F.C Prishtina duhet të shënojë fitore me rezultat mbi 2 golash që të triumfojë në garën për titull kampioni.

Për shkak të punimeve në stadiumin e kryeqytetit, F.C Prishtina të gjitha ndeshjet si vendas i ka luajtur jashtë qytetit, disa në Drenas e disa në stadiumin e qytetit të Pejës.