Lulzim Zeneli Foto: Facebook

Gjykata i Vendos Masë të Përkohshme Konkursit për Profesor – Asistent

Universiteti i Prishtinës nuk do të mund të shpallë konkurs për profesor-asistent në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka vendosur masë të përkohshme konkursit të Universitetit të Prishtinës për angazhimin e një profesor-asistenti në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore. Kjo masë e përkohshme është vendosur pas padisë së bërë nga Lulzim Zeneli, i cili ka qenë në garë për këtë pozitë por nuk është pranuar, përkundër se i plotësonte të gjitha kushtet. Senati i UP-së kishte vendosur që të anulojë konkursin për profesor-asistent, në të cilin kishte konkurruar edhe Zeneli, me arsyetimin se kandidati i propozuar nga komisioni recensues i fakultetit, Hamit Ismaili, nuk i plotësonte kushtet e kërkuara nga Statuti i UP-së.

NDËRLIDHUR

Gjykata me aktvendimin e Departamentit të Përgjithshëm, Divizionit Civil me numër  Cnr.  681/ 2017 që e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, e ka urdhëruar UP-në të mos hapë konkurs të ri derisa të përfundojë shqyrtimi i ankesës së Zenelit.

“I caktohet masa e përkohshme e sigurimit, urdhërohet kundër propozuesit Universitetit të Prishtinës ‘ Hasan Prishtina’ në Prishtinë që të mos shpallet konkurs për vendin e punës në të cilin ka aplikuar paditësi  Lulzim Zeneli sipas konkursit të publikuar në Gazetën Koha Ditore me datën 14.01.2017 deri në shqyrtim të kësaj çështjeje”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, i marrë nga gjyqtarja Mihane Ismaili.

Në aktvendimin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë thuhet se deri te kjo masë ka ardhur pas shqyrtimit të provave të rastit të Lulzim Zenelit.

Gjyqtarja e rastit, Mihane Ismaili me këtë aktvendim, ka treguar arsyet për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për UP-në.

“Gjykata pas analizimit dhe vlerësimit të provave që gjenden në shkresat e lëndës, erdhi në përfundim se propozimi i propozuesit për caktimin e masës së përkohshme, është i bazuar nga fakti se ekziston rreziku që pa caktimin e masës së sigurisë do të vështirësohet dukshëm realizimi i kërkesës nga palët”, thuhet në aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka publikuar një hulumtim në të cilin janë pasqyruar të gjitha shkeljet që janë bërë në disa instanca të UP-së në rastin e Zenelit.

Në këtë hulumtim shihet që Komisioni Recensues dhe Këshilli i FSHMN-së kishin përzgjedhur kandidatin Hamit Ismaili për pozitën profesor-asistent pa plotësuar kriteret e Statutit të UP-së për çka kërkohet punim shkencor me impakt-faktor si autor i parë. Komisioni Recensues dhe Këshilli i FSHMN-së nuk e kishin përzgjedhur kandidatin Lulzim Zeneli, i cili i plotësonte kushtet e këtij konkursi.

Ndryshe, Gazeta Jnk, gjatë hulumtimit pati vënë në pah që edhe pse ka pasur një vendim të Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa të UP-së se Senati ka shkelur procedurat e konkursit, këta të fundit  më 31 janar 2017 patën marrë vendim për rishpallje të konkursit.

Me aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, UP-ja obligohet të mos e shpallë konkursin për profesor-asistent në FSHMN.

16 Maj 2017 - 11:45

Qëndresë Mustafa 16/05/2017 - 11:45
NDËRVEPRIMI0